Lajme

Si po tenton Qeveria t’i “përvetësojë” të hollat e pashpenzuara Komunave?


Ilustrim: Bordi i Asociacionit të Komunave dhe Qeveria e Kosovës

“Të gjitha të hyrat vetanake të mbledhura para vitit fiskal 2022 dhe të pashpenzuara, bëhen pjesë e Fondit të Kosovës në bilancin bankar”.

Ishte ky pasusi i fundit i shtuar “fshehurazi” në paragrafin e 6 të nenit 9 të Projektligjit të Buxhetit për vitin 2023 ai që alarmoi Asociacionin e Komunave të Kosovës.

Sipas tyre me këtë fjali Qeveria e Kosovës po tenton t’ia marrë komunave të hyrat vetanake të pashpenzuara gjatë vitit 2022.

Një gjë e tillë përveç se është cenim i funskionimit të pushtetit lokal është në kundërshtim edhe me Ligjin e Financave të Pushtetit Lokal dhe Ligjin e Financave Publike.

“Komunat e Kosovës, pavarësinë financiare e kanë të rregulluar dhe kërkojmë që mos të ketë ndërhyrje nga niveli qendror”, thuhej në komunikatën e lëshuar nga Asociacioni i Komunave të Kosovës.

Ky alarmi i ngritur nga Asociacioni i Komunave kishte shqetësuar edhe kryetarët e komunave të cilët në këtë rast ishin “viktima”, pasi që Qeveria e Kosovës kishte marrë një vendim pa u dakorduar paraprakisht me vetë ata.

“Qeveria në mënyrë të pa drejt, pa koordinim me komunat, pa as një koordinim me Asociacionin e Komunave të Kosovës ka ndërmarr një veprim ku në Projektligjin për ndarjet buxhetore të vitit 2023 në nenin 9 ka futur pikën 6 që mjetet financiare të cilat komunat nuk i kanë shpenzuar deri në përfundim të vitit të kaluar t’i merren”, shprehte shqetësimin e tij kryetari i Asociacionit të Komunave, Sazan Ibrahimi.

I pari që kishte reaguar për “këtë padrejtësi” qe kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama.

Sipas tij buxheti i Prishtinës është i Prishtinës.

Qeveria e Kosovës duhet ta heq dorë nga ky pasus, në të kundërtën ajo bën shkelje Kushtetuese.

“Neni 124, pika 5 e Kushtetutës së Republikës së Kosovës specifikon se ‘komunat kanë të drejtë, të vendosin, të caktojnë dhe të shpenzojnë  të hyrat e veta si dhe të marrin fonde nga Qeveria qendrore, në pajtim me ligjin’, specifikonte ai.

Nëse ky pasus nuk ndryshohet, shpjegonte, Rama atëherë Qeveria e Kosovës “përvetësonte” 38 milionë euro të hyra vetanake të mbledhura nga qytetarët e Prishtinës.

“Unë si kryetar i Kryeqytetit, i zgjedhur për të përfaqësuar dhe mbrojtur interesin e qytetarëve të Prishtinës, jam i obliguar të siguroj që të hyrat e tyre të kthehen në investime zhvillimore për Prishtinën”.

Bashkim Ramosaj dhe Përparim Rama

Reagim, por më të ashpër, për këtë dukuri sui generis pati edhe kryetari i Komunës së Deçanit, Bashkim Ramosaj.

Sipas tij me këtë nenë “të kontrabanduar e të futur tinëzisht në Projektligjin për Buxhetin e vitit 2023”, Qeveria e Kosovës po ndërhyjnë në mënyrë të drejtpërdrejtë në autonominë dhe kompetencat e komunave.

“Komuna funksionon në bazë të kompetencave ekskluzive vetanake që i ka, të cilat janë të përcaktuara në Kushtetutë, me Ligjin për vetëqeverisje lokale, Ligjin për menaxhimin e financave lokale dhe atë për menaxhimin e financave shtetërore. Në këtë paragraf është cenuar diçka që komunave iu jepet edhe ligj edhe me Kushtetutë, që janë taksat që i marrin nga qytetarët, t’i orientojnë për punë kapitale dhe për pagesën e borxheve dhe detyrimeve që kanë komunat”, kishte theksuar Ramosaj në një konferencë për media.

Prandaj Ramosaj kishte kërkuar që ekzekutivi kosovar të reflektoj për këtë ose ndryshe Gjykata Kushtetuese bëhet vendi ku “qërohen hesapet”.

Ndryshe Kuvendi i Kosovës me 64 vota pro, të enjten e 17 nëntorit kishte miratuar në parim Projektligjin për ndarjet buxhetore për buxhetin e Kosovës për vitin 2023.

Qeveria e Kosovës e ka cilësuar buxhetin e vitit 2023 si buxhetin më të madh ndonjëherë në historinë e Kosovës.

Buxheti 3.2 miliardësh, në anën tjetër është kritikuar mjaft shumë nga ana e partive opozitare.

Sipas tyre buxhetit i mungon ambicia zhvillimore, nuk ofron zgjidhje për qytetarët, nuk është buxhet real, nuk përputhet me nevojat e qytetarëve.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore