Lajme

AAK-ja akuzon Qeverinë për ndërhyrje në kompetencat e komunave


Bashkim Ramosaj

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës ka akuzuar Qeverinë e Kosovës për ndërhyrje në autonominë dhe kompetencat e komunave.

Kryetari i Komunës së Deçanit, Bashkim Ramosaj, i shoqëruar edhe me zyrtarë të tjerë nga kjo parti, në një konferencë për media të mbajtur të premten, ka thënë se ky problematik është evidentuar në Projektligjin për buxhetin e vitit 2023.

“Projektligji për buxhetin e vitit 2023 ka bërë cenimin e autonomisë financiare të komunave të Republikës së Kosovës, sidomos në nenin 6 paragrafin e nëntë, ku realisht komunave u cenohet autonomia në menaxhimi i buxhetit, sidomos tek të hyrat e bartura”, ka theksuar Ramosaj.

Sipas tij ai nen është në kundërshtim me Kushtetutën dhe disa ligje.

“Komuna funksionon në bazë të kompetencave ekskluzive vetanake që i ka, të cilat janë të përcaktuara në Kushtetutë, me Ligjin për vetëqeverisje lokale, Ligjin për menaxhimin e financave lokale dhe atë për menaxhimin e financave shtetërore. Në këtë paragraf është cenuar diçka që komunave iu jepet edhe ligj edhe me Kushtetutë, që janë taksat që i marrin nga qytetarët, t’i orientojnë për punë kapitale dhe për pagesën e borxheve dhe detyrimeve që kanë komunat”, ka theksuar Ramosaj.

Sipas tij ky nen është kontrabanduar dhe është futur tinëzisht në Projektligjin për Buxhetin e vitit 2023.

Ai i ka bërë thirrje institucioneve që të kenë kujdes dhe të mos cenojnë autonominë dhe kompetencat e komunave.

“Ky do të ishte një precedent i keq administrativ, ligjor e juridik dhe gjithashtu do të ishte tepër e kushtueshme për projektet të cilat janë në zhvillim”, ka deklaruar Ramosaj.

Ilustrim: Bordi i Asociacionit të Komunave dhe Qeveria e Kosovës

Për këtë problematik javë më parë kishte reaguar edhe Asocacioni i Komunave të Kosovës.

Përmes nenit 9 të Ligjit të Buxhetit për vitin 2023, Qeveria e Kosovës sipas Asociacionit po tenton t’ia marrë komunave të hyrat vetanake të pashpenzuara gjatë vitit 2022.

“Qeveria e Kosovës gjatë hartimit të Ligjit për Buxhetin e vitit 2023 ka ndërhyrë në pjesën tekstuale të ligjit dhe me këtë cenon pavarësinë financiare të Komunave. Më saktësisht tek neni 9 i Ligjit të Buxhetit 2023, paragrafi 6 është shtuar heshturazi pasusi i fundit ‘Të gjitha të hyrat vetanake të mbledhura para vitit fiskal 2022 dhe të pashpenzuara, bëhen pjesë e Fondit të Kosovës në bilancin bankar’, thuhej në njoftimin e tyre.

Asociacioni i Komunave: Qeveria me Projektligjin për Buxhet po cenon pavarësinë financiare të komunave

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore