Lajme

Asociacioni i Komunave: Qeveria me Projektligjin për Buxhet po cenon pavarësinë financiare të komunave


Ilustrim: Bordi i Asociacionit të Komunave dhe Qeveria e Kosovës

Asociacioni i Komunave të Kosovës, përmes një komunikate për media ka bërë të ditur se Qeveria e Kosovës me projektligjin e buxhetit për vitin 2023 po cenon funksionin e pushtetit lokal.

Sipas tyre përmes nenit 9 të Ligjit të Buxhetit për vitin 2023, Qeveria e Kosovës po tenton t’ia marrë komunave të hyrat vetanake të pashpenzuara gjatë vitit 2022.

“Qeveria e Kosovës gjatë hartimit të Ligjit për Buxhetin e vitit 2023 ka ndërhyrë në pjesën tekstuale të ligjit dhe me këtë cenon pavarësinë financiare të Komunave. Më saktësisht tek neni 9 i Ligjit të Buxhetit 2023, paragrafi 6 është shtuar heshturazi pasusi i fundit ‘Të gjitha të hyrat vetanake të mbledhura para vitit fiskal 2022 dhe të pashpenzuara, bëhen pjesë e Fondit të Kosovës në bilancin bankar’, thuhet në njoftimin e tyre.

Mu për këtë arsye Bordi i Asociacionit të Komunave ka kërkuar që të hiqet ky pasus, kjo pasi që sipas tyre i njëjti është në kundërshtim edhe me Ligjin e Financave të Pushtetit Lokal dhe Ligjin e Financave Publike.

“Komunat e Kosovës, pavarësinë financiare e kanë të rregulluar dhe kërkojmë që mos të ketë ndërhyrje nga niveli qendror”.

Kritika ndaj Buxhetit për vitin 2023 patën edhe partitë opozitare.

Partia Demokratike e Kosovës, përmes një konference për media, të mërkurën ka kritikuar qasjen e Qeverisë së Kosovës në raport me projektbuxhetin e vitit 2023.

Sipas Koordinatorit të Departamentit për Financa në Kabinetin për Qeverisje të Mirë në kuadër të PDK-së, Arben Mustafa, Qeveria e Kosovës ka shfaqur mungesë të vizionit në hartimin e projektbuxhetit për vitin 2023.

Për Mustafën ky projektbuxhet në asnjë mënyrë nuk reflekton kërkesat e qytetarëve të Kosovës në ekonomi, krijim të vendeve të punës dhe ngritje të kualitetit të jetesës.

“Ky buxhet më së shumti mund të quhet një kopje e dobët e vitit 2022, sepse në shumicën e rasteve është një përsëritje e vitit 2022. Këtij buxheti i mungon ambicia zhvillimore, i mungon orientimi se ku do të jetë Kosova në fund të vitit 2023 – se çfarë Kosove do të kemi në fund të vitit 2023”, ka theksuar ai.

Mustafa shtoi se projekt-buxheti i propozuar në asnjë mënyrë nuk reflekton një strategji të karakterit zhvillimor për vendin, por kryesisht është i bazuar në shpenzime sot-për-sot, të cilat nuk krijojnë kushte për zhvillim afatgjatë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore