Lajme

Murati fton pensionistët pa 15 vjet stazh pune të regjistrohen për pensione të pjesshme


Hekuran Murati

Ministri i Financave, Punës dhe Trasferve, Hekuran Murati, ka njoftuar se të gjithë pensionistët të cilët për shkak të largimit të dhunshëm nga puna në vitet ‘90-ta nuk kanë arritur t’i plotësojnë 15 vjet stazh, se do të kenë mundësinë që të kalojnë në kategorinë e pensionit parcial kontributiv, nëse i plotësojnë kriteret ligjore sipas ndryshimeve ligjore të miratuara nga Kuvendi.

“Para se të fillojë zbatimi i skemës së së re, ftohen të gjithë pensionistët që kanë kontribute të regjistrohen në formularin më poshtë deri në fund të muajit gusht, ashtu që zyrat e pensioneve pastaj t’i ftojnë sipas radhës për paraqitjen e aplikacionit për kalim në skemën parciale kontributive në mënyrë që të evitohen pritjet e gjata para sporteleve”, shkroi ai në Facebook.

 

Ndryshe, më 27 korrik, me 76 vota për, asnjë kundër dhe asnjë abstenim, deputetët e Kuvendit të Kosovës kishin votuar projektligjin për skemat pensionale, i cili parasheh që pensionistëve të përjashtuar nga skema për stazhin pensionale për punën në vitet ‘90-ta, nga tash e tutje do t’iu numërohen vitet e punës.

Të pranishëm në votim ishin edhe deputetët e Lidhjes Demokratike të Kosovës, të cilët votuan për këtë projektligj, ndërsa deputetët e dy partive tjera opozitare – Partia Demokratike e Kosovës dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës nuk morën pjesë në votim.

Kuvendi i Kosovës miraton projektligjin për skemat pensionale

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore