Shqipëria

Mungojnë sërish avokatët, gjykimi për Dosjen “184” shtyhet më 8 shtator


Gjykata e Dibrës sërish nuk ka dalë me një vendim as nga seanca e sotme.

Gjyikimi po zhvillohet ndaj dy të akuzuarve të dosjes “184” për shit-blerje të votave në zgjedhjet e pjesshme lokale të vitit 2016, Drini Gjeci e Nuri Meda.

Të dy të akuzuarit u paraqitën në gjykatë, por munguan avokatët e tyre.

Në mungesë të mbrojtjes, është vendosur që seanca e radhës ndaj tyre të mbahet me datën 8 shtator.

Më herët, seanca gjyqësore për dy nga katër të pandehurit e dosjes 184 në Dibër, të enjten e 8 korrikut, u shty sërish, për të njëjtat motive.

Dosja 184

Dosja 184, e njohur edhe si dosja e vjedhjes dhe shit-blerjes së votave denonconte zgjedhjet e vitit 2016, në Dibër. Kjo dosje u denoncua nga kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha.

Në përgjime përfshihen edhe deputetë socialistë në biseda me policinë, biznesmenë, persona të dyshimtë dhe të tjerë të paidentifikuar.

Prokuroria ngriti akuza  mbi katër persona për “shpërdorim detyre” dhe “kanosje të zgjedhësve”. Ndërkohë që për pjesën tjetër të personave nën hetim kërkoi pushimin e çështjes për shkak të tejkalimit të afatit trevjeçar nga prokuroria e Dibrës.

Që prej muajit korrik të vitit 2019,  dosja 184  kaloi si “boomerang” nga Prokuroria e Dibrës në Prokurorinë e Tiranës.

Më pas kaloi në Prokurorinë e Krimeve  të Rënda Tiranë dhe në Strukturën e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK).

Kjo e fundit nuk pranoi ta shqyrtonte duke ia kaluar sërish në kompetencë Prokurorisë së Dibrës.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore