Lajme

Mungojnë deputetët e LVV-së, nuk konstituohet Komisioni Hetimor për Rezervat Shtetërore


Komisioni Hetimor Parlamentar për Rezervat Shtetërore

Këtë të mërkurë në mungesë të deputetëve të partisë në pushtet, Lëvizjes Vetëvendosje nuk është konstituar Komisioni Hetimor Parlamentar në lidhje me procedurat për furnizim dhe menaxhim me rezervat shtetërore.

Në mbledhjen ku parashihej të konstituohej ky komision munguan deputetët e LVV-së, Armend Muja, Driton Hyseni, Shqipe Meta-Isufi, Halil Thaçi dhe Salih Zyba.

Po ashtu mungoi edhe Erxhan Galushi nga partitë e komuniteteve.

“Sot mungojnë kolegët deputetë të Lëvizjes Vetëvendosje, andaj nuk mund të konstituohet komisioni”, tha deputeti i Partisë Demokratike të Kosovë, Rashit Qalaj, njëherit kryesuesi i këtij Komisioni.

“Po vërehet se po frikësohen nga e vërteta”, tha deputetja e Lidhjes Demokratike e Kosovës, Valentina Bunjaku, njëherit zëvendës-kryesuese e këtij Komisioni.

E anëtarja nga radhët e LDK-së, Doarsa Kica-Xhelili ka thënë se mungesa nuk ka të bëjë me kohën, pasi deputetët që munguan janë veçse në Kuvend.

“Isha në Komision Hetimor në Kuvend për Rezervat Shtetërore. Deputetët e VV nuk erdhën. Komisioni nuk u konstituua. Mundësinë e radhës e kanë në orën 15:00, sepse ne nuk heqim dorë”, shkroi ajo në rrjetin e saj social në Facebook.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore