Kosova

Mungesa e ministrave në Kuvend, largohen katër pika nga diskutimi


Kuvendi i Kosovës.

Mbledhja e përbashkët mes Qeverisë së Kosovës dhe Shqipërisë ka bërë që të ketë mungesë të ministrave në vazhdimin e seancës plenare në Kuvendin e Kosovës.

Nga e enjtja në këtë seancë kishin mbetur për t’u diskutuar edhe gjashtë pika.

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, ka propozuar që katër pikat e para të listës së rendit të ditës të largohen nga diskutimi për shkak se kabineti qeveritar nuk është i pranishëm në sallë.

Ndërkaq, shefat e grupeve parlamentare propozuan që diskutimi duhet të fillojë nga pika e dhjetë e cila është, “Zgjedhja e zëvendësdrejtorit të Autoritetit Rregullator për Shërbimet e Ujit”.

Ndërkaq, kryeparlamentari Glauk Konjufca njofti se pika e parë e votimit do të jetë zgjedhja e Bordit të Radiotelevizionit të Kosovës (RTK).

Edhe, shefja e grupit parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila tha se pajtohen që të vazhdojnë me pikat e rendit të ditës që mund të diskutohen edhe pa prezencën e ekzekutivit.

“Grupi parlamentari i Lëvizjes Vetëvendosje pajtohet me propozimin tuaj zakonisht po kërkohet prezenca e ministrave dhe kabinetit qeveritar kur diskutohen projektligjet andaj sot pajtohemi që të vazhdojmë pikat që kanë të bëjnë me Agjencitë që i raportojnë Kuvendit apo raportet që i kemi referencë“, tha ajo.

Kryeparlamentari Glauk Konjufca.

Për zgjedhjen e Bordit është themeluar Komisioni votues, me 64 vota pro, nga 69 deputetë sa janë aktualisht në sallë.

Për të tetën herë, Qeveria e Shqipërisë dhe Kosovës do të vijojnë traditën e mbledhjes së përbashkët.

Më 26 nëntor, kjo mbledhje do të mbahet në qytetin e Elbasanit.

Mes dy Qeverive, asaj të Edi Ramës dhe Albin Kurtit, pritet të firmosen disa marrëveshje.

Fokusi i kabineteve qeveritare do të jetë në fushën e lëvizjes së lirë, arsimit, drejtësisë, infrastrukturës, kulturës dhe lehtësimit të bashkëpunimit dhe shkëmbimit tregtar.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore