Shqipëria

Mundësonin kalim të paligjshëm të emigrantëve, vijojnë arrestimet në kuadër të operacionit ndërkombëtar “ASTROLABIO”,


Në vijim të operacionit policor ndërkombëtar “ASTROLABIO”, Policia e Vlorës ka arrestuar personin e 19 nga një grup i strukturuar kriminal që merrej me kalimin e paligjshëm të emigrantëve nga Iraku, Siria dhe Egjipti.

Këta të fundit kundrejt shpërblimit monetar që varionte nga 5 mijë deri n ë10 mijë euro, i kontrabandonin ata në rrugë tokësore dhe detare, duke iu mundësuar kalimin në mënyrë të paligjshme nga njëri shtet në tjetrin, me destinacion përfundimtar vendet e Bashkimit Evropian.

Përkatësisht është arrestuar shtetasi K. L., ku akuzohet për veprat penale “Ndihma për kalim të paligjshëm të kufijve”, “Grupi i strukturuar kriminal” dhe “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal”.

Ky operacion është zhvilluar në bashkëpunim me zbatimin e ligjit italian dhe grek e krijuar midis Prokurorisë së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar në Shqipëri, Seksionit Antimafia të Prokurorisë së Lecces, Itali, dhe të Prokurorisë së Përgjithshme të Apelit Athinë, Greqi, me koordinimin e EUROJUST (AJA) dhe ndihmën e EUROPOL-it.

Ndërkohë vijon puna për lokalizimin dhe kapjen e personave të tjerë të shpallur në kërkim në kuadër të këtij operacioni.

Nga ana tjetër materialet i kaluan SPAK-ut, për veprime të mëtejshme.

Spak ka lëshuar 25 urdhër arresti në kuadër të këtij operacioni.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore