Shqipëria

Operacioni ndërkombëtar Shqipëri-Itali-Greqi godet 4 grupe kriminale/ Kontrabandonin emigrantë nga Lindja e Mesme


Foto Ilustruese

Prokuroria e Posaçme (SPAK), në kuadër të një operacioni të përbashkët ndërkombëtar me autoritetet italiane dhe greke kanë ekzekutuar 47 masa të sigurimit personal, mëngjesin e 19 janarit në lidhje me katër grupe të strukturuara kriminale të kontrabandimit të personave nga Lindja e Mesme.

Operacioni është zhvilluar në koordinim me EUROJUST, EUROPOL dhe disa shtete të tjera.

Këto katër grupe ishin të shpërndarë dy në Itali, një në Shqipëri dhe një në Turqi. Në bashkëpunim me njëri-tjetrin pjesëtarët e këtyre grupeve kontrabandonin emigrantë të paligjshëm nga Lindja e Mesme, me destinacion Italinë e Jugut dhe më pas vende të tjera të Bashkimit Evropian.

Pjesëtaret e këtyre grupeve kriminale pasi siguronin persona të ndryshëm kryesisht në Irak, Siri, Egjipt e vende të tjera kundrejt një shpërblimi monetar nga 5 mijë deri në 10 mijë Euro, i kontrabandonin ato në rrugë tokësore dhe detare, duke ju mundësuar kalimin në mënyrë të paligjshme nga njëri shtet në tjetrin me destinacion përfundimtar vendet e BE-së.

Nga hetimi i përbashkët i kryer janë dokumentuar 30 episode kontrabandimi të 1 mijë e 120 emigrantëve.

Konkretisht SPAK, Policia e Shtetit dhe agjencitë e tjera ligjzbatuese kanë dokumentuar shtatë episode të kontrabandimit të këtyre emigrantëve të paligjshëm, të kryera në Tiranë, Korçë, Gjirokastër, Elbasan, Fier, Vlorë dhe Sarandë.

Autoritetet ligjzbatuese kanë kryer urdhrin e SPAK duke arrestuar 25 persona, si pjesë e këtij grupi të strukturuar kriminal, nga të cilët 18 janë shtetas shqiptarë dhe shtatë shtetas të huaj (palestinez, irakian, iranianë, egjiptianë dhe turq).

Po ashtu janë kapur në flagrancë edhe personat e kontrabanduar për të kaluar kufijtë shtetërorë në mënyrë të paligjshme.

Gjithashtu janë sekuestruar mjete lundruese (skafe), një anije velierë, automjete, si dhe sende të ndryshme, të cilat shërbenin për kontrabandimin e personave në rrugë tokësore dhe nëpërmjet detit.

Në njoftimin e SPAK-ut theksohet se hetimet e kryera nga kjo Skuadër e Përbashkët Hetimore kanë konfirmuar dhe një herë faktin se, “vetëm një bashkëpunim i ngushtë ndërmjet autoriteteve gjyqësore dhe ligjzbatuese të shteteve të ndryshme mund të garantojë sukses dhe efektivitet në luftë kundër krimit të organizuar ndërkombëtar”.

Ministri i Brendshëm, Bledi Çuçi.

 

Në lidhje me finalizimin e këtij operacioni ka reaguar edhe ministri iBrendshëm, Bledi Çuçi.

Ky i fundit ka theksuar se, “jemi maksimalisht të angazhuar dhe të vendosur për të goditur me të gjithë forcën e ligjit çdo rrjet kriminal të trafikut të klandestinëve”.

Ai ka falënderuar dhe vlerësuar punën e e Policisë së Shtetit, SPAK-ut, agjencive të tjera ligjzbatuese dhe partnerëve për finalizimin me sukses të këtij operacioni.

“Shqipëria mbron të drejtat e migrantëve dhe refugjatëve, por kurrsesi nuk do të bëhet urë kalimi për grupet që iu rrezikojnë jetën dhe shfrytëzojnë dramën e atyre njerëzve për qëllime fitimi”, e përmbylli Çuçi reagimin e tij.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore