Kosova

Muja: Lista Serbe ka për synim bllokimin e progresit në Kosovë


Armend Muja

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Armend Muja, nëpërmjet një postimi në postimi në platformën sociale, Facebook, ka potencuar se Lista Serbe – partia me mbështetjen më të madhe në mesin e komunitetit serb në Kosovë – mesatarisht çdo tre muaj, me urdhra nga Beogradi zyrtar, po i ndryshon qëndrimet.

Muja ndërsa ka kritikuar vendimin e fundit të Listës Serbe për ta bojkotuar procesin e votimit për shkarkimin e kryetarëve të komunave në Veri, ka vlerësuar se kjo parti ka për synim bllokimin e progresit në Kosovë.

“Por, nuk kanë më mbështetje në qytetarë e besueshmëri. As forcën që ta bëjnë këtë siç kanë mundur më herët”, ka shkruar ai.

Sipas tij qytetarët serb në Kosovë tashmë e kanë kuptuar se dekonstruktivitetin e Listës Serbe.

“Qytetarët e komunitetit serb në Kosovë, tashmë po e shohin mirë e të demaskuar Listën Serbe e politikat e Beogradit zyrtar. Ata nuk i kanë prioritet interesat e qytetarëve. Dita ditës, po e dëshmojnë këtë”.

Listës Serbe të dielën paralajmëroi se s’do të marrë pjesë në referendumin që pritet të mbahet më 21 prill në katër komunat veriore të Kosovës, derisa fajësoi kryeministrin kosovar, Albin Kurti, duke shtuar se janë planifikuar procedura të pamundura për largimin e kryetarëve.

BE-ja në anën tjetër apeloi Listën Serbe që të rishqyrtojë vendimin për mospjesëmarrje në votimet për shkarkimin e kryetarëve në Veri të vendit, duke rikujtuar se pjesëmarrja e qytetarëve serbë që përbëjnë shumicën në pjesën veriore të Kosovës në jetën demokratike në Kosovë është në interes të tyre dhe një hap i nevojshëm për zbutjen e tensioneve.

Ndërkaq Shtetet e Bashkuara të Amerikë shprehën keqardhje që Lista Serbe nuk e përkrah votimin për shkarkimin e katër kryetarëve në Veri.

“Na vjen keq për deklaratën e Listës Serbe se ata do të tërhiqen nga pjesëmarrja në votimin për shkarkimin e kryetarëve të komunave veriore. Presim që Qeveria e Kosovës të jetë e ndjeshme ndaj shqetësimeve të qytetarëve të saj në Veri të Kosovës gjatë gjithë këtij procesi. Shtetet e Bashkuara dhe partnerët tanë do të vazhdojnë ta ndjekin këtë proces nga afër”, thuhej në një përgjigje të Ambasadës së SHBA-ve për mediat në Prishtinë.

Në bazë të udhëzimit administrativ që mundëson largimin e kryetarëve të komunave nga shtatori i vitit të kaluar, duhet 50 për qind, plus një votë e qytetarëve me të drejtë vote që referendumi të ketë sukses. Pas kësaj, rezultati i dërgohet presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, e cila ka afat ligjor prej 30 deri në 45 ditë për të shpallur mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore