Lajme

MSh u premtoi për rritje të pagave punëtorëve teknikë dhe të sigurimit fizik, por tani thotë se kërkesën duhet ta bëjnë në ministrinë e Financave


Foto: Albanian Post.

Edhe pse premtimi ndaj punonjësve teknikë dhe punëtorëve fizik në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK) u bë nga ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia para gjashtë muajsh nga kjo ministri tani thonë se kjo është përgjegjësi e Ministrisë së Financave, Punës dhe Transfereve.

Ministria e Shëndetësisë, përmes një përgjigje për Albanian Post ka thënë se pyetjet për ngritje të pagës ndaj punonjësve teknikë dhe punëtorëve fizik duhet të adresohen tek Ministria e Financave.

“Lidhur me çështjen e ngritur nga ana juaj, ju rekomandojmë që pyetjet e juaja t’i adresoni te Ministria e Financave, pasi që Ligji i ri i pagave sponsorizohet nga kjo Ministri”, ka thënë ministria për AP.

Premtimi i ministrit erdhi si përgjigje ndaj kërkesës Federatës Sindikale të Punëtorëve Teknikë, ku përfshihej rritja e pagave më së paku 450 euro dhe çdo stimulim i punëtorëve shëndetësorë publikë, të jetë edhe për kompanitë që kryejnë shërbime teknike në spitale dhe Qendrat e Mjekësisë Familjare (QMF) e gjithashtu t’u bëhet edhe pagesa e stazhit të punës.

Ata kishin kërkuar të largohet participimi për kontrollet që bëhen në institucionet shëndetësore të punëtorëve teknikë që kryejnë shërbime për spitalet në Kosovë, të kthehen nën menaxhim të spitaleve këta punëtorë dhe t’u mundësohet ushqim falas në mensat e spitaleve.

Të gjitha këto u dorëzuan më 21 shkurt dhe nga atëherë Vitia, i la në pritje punonjësit, kjo kërkesë u dorëzua sërish nga ta me 12 shtator tek ministria e Shëndetësisë.

Pas publikimit të vlerës së koeficientit për ligjin e pagave nga Qeveria e Kosovës, sektori privat më 1 shkurt kishte dalur me kërkesë që punëtorët teknikë dhe ata të sigurimit fizik që janë të punësuar nga ky sektor të paguhen duke u bazuar në koeficientin që është caktuar nga ekzekutivi.

Kërkesa ishte bërë nga kryetari i Federatës Sindikale e Punëtorëve Teknikë të Sektorit Privat të Kosovës (FSPTSPK), Jusuf Azemi, përmes një letër dërguar kryeministrit Albin Kurti, dhe ministrit të Financave, Hekuran Murati.

Iu tha më prisni 10 ditë, Arben Vitia ka muaj që s’po iu lajmërohet punëtorëve teknikë dhe atyre të sigurimit fizik që punojnë në institucione shëndetësore

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore