Kosova

MSH blen paracetamol shumëfishë më të shtrenjtë sesa që shitet në Kosovë


Rifat Latifi

Ministria e Shëndetësisë ka blerë paracetamol 1 gram për injeksion me çmim prej 3 euro e 80 cent për njësi përmes Zyrës së Kombeve të Bashkuara për Shërbime të Projekteve, ndërsa ky produkt në barnatoret në Kosovës shitet me një çmim rreth 1 euro për njësi.

Kështu ka njoftuar Instituti Demokratik i Kosovës, i cili përmes një reagimi në rrjetin e tij social në Facebook, ka bërë të ditur se Ministria e Shëndetësisë ka paguar rreth 280 për qind më shtrenjtë për produktin paracetamol.

“KDI në vazhdimësi është duke shpërfaqur shqetësime lidhur me blerjen e medikamenteve nga UNOPS me çmime shumë të larta, si dhe i ka bërë thirrje Ministrisë së Shëndetësisë që të kërkoj llogari nga UNOPS për këto çmime të cilat përfundimisht i paguan qytetari i Kosovës”, thuhet në reagimin e tyre.

KDI më tej ka njoftuar që si organizatë kanë kërkuar nga Kuvendi i Kosovës dhe komisionet për Shëndetësi dhe menaxhim e financave publike që të mbajnë në llogaridhënie Ministrinë e Shëndetësisë për shpenzimet enorme të bëra përmes kontratës që ky dikaster ia ka dhënë UNPOS për blerjet e produkteve medicinale.

“Po ashtu, kërkojmë nga #Zyra Kombëtare e Auditimit, të bëjë një auditim urgjent të performancës së kësaj kontrate ndërmjet #Ministrisë së Shëndetësisë dhe #UNOPS-it”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore