Lajme

MPJ malazeze: Dodik të përmbahet nga retorika ekspansioniste dhe nacionaliste


Ndertesa e MPJ-se se Malit te Zi

Ministria e Punëve të Jashtme e Malit të Zi i ka bërë thirrje presidentit ultra-nacionalist të Republikës Srpska – entiteti serb në Bonje e Hercegovinë – që të përmbahet nga retorika ekspansioniste dhe nacionaliste dhe të sillet politikisht përgjegjshëm në frymën e marrëdhënieve miqësore.

Kjo thirrje e MPJ-së malazeze vjen pasi që Dodik, për median propaganduese ruse “Sputnik” – e ndaluar në Bashkimin Evropian – tha se “serbët në këtë shekull duhet të formojnë një të shtet të vetëm të përbërë nga Serbia, Republika Srpska, Mali i Zi dhe Kosova”.

Millorad Dodik

Mirëpo, nga Mali i Zi i kanë kujtuar Dodik-ut se ky shtet është një vend i pavarur dhe i njohur ndërkombëtarisht, anëtar i NATO-s, “i fokusuar në të ardhmen evropiane dhe jo ide retrograde”, të cilat, siç thonë nga ky dikaster, “jetojnë falë retorikës nacionaliste dhe aspiratave të politikanë të caktuar nga rajoni”.

Ata theksojnë se Mali i Zi, si shtet civil, laik dhe multietnik, është i përkushtuar ndaj marrëdhënieve të fqinjësisë së mirë “që duhet të bazohen në respektin e ndërsjellë të sovranitetit dhe integritetit territorial, vlerave themelore dhe angazhimeve të politikës së jashtme, sepse vetëm një fqinjësi e qëndrueshme mund të sjellë prosperitet për vendet tona dhe rajonin në tërësi”.

“Nuk është hera e parë që e ardhmja e Malit të Zi është bërë objekt komentesh të papërshtatshme dhe të papranueshme për qëllime të situatave politike lokale në rajon, dhe/ose me qëllim të dëmtimit të qëllimshëm të marrëdhënieve të fqinjësisë së mirë, perspektivës evropiane dhe sigurinë e rajonit”, thuhet në reagim, transmeton media malazeze “Pobjeda”.

Prandaj, kanë pohuar MPJ-ja malazeze, “ftojmë Dodik të përmbahet nga retorika ekspansioniste dhe nacionaliste dhe të sillet politikisht dhe politikisht me përgjegjësi, në frymën e marrëdhënieve miqësore, siç ushqehen nga Mali i Zi dhe Bosnja e Hercegovina”.

Në fund, siç thuhet aty, i vetmi bashkim në të cilin Dodik mund të gjendet me Malin e Zi në të ardhmen është ai evropian, “edhe pse në rastin e tij, falë politikave të tilla të prapambetura, duket si e vështirë të arrihet”.

“Prandaj është e një rëndësie vendimtare që rajoni ynë të çlirohet përfundimisht nga trashëgimia politike retrograde e viteve të errëta të 90-ta të shekullit të kaluar, të cilën ende e mbron dhe e përfaqëson Dodik, që më në fund të ecim përpara dhe të ndërtojmë shoqërinë që meritojnë qytetarët tanë”, përfundon reagimi i MPJ-së malazeze.

Dodik: Serbët në këtë shekull të formojnë një shtet, Mali i Zi dhe Kosova të jenë pjesë e tij

Mali i Zi ka qenë një nga gjashtë republikat në kuadër të Jugosllavisë.

Është vendi i fundit që është shkëputur nga ky konfiguracion. Për dallim nga pjesa më e madhe e shteteve përbërëse të ish-Jugosllavisë, Mali i Zi, shkëputjen e bëri përmes referendumi, jo me luftë.

Lëvizjen për referendum e udhëhoqi, ish-kryeministri dhe ish-presidenti malazez, Milo Gjukanoviç.

Në referendumin e vitit 2006 pro pavarësimit të Malit të Zi kishin votuar 55.5 për qind e qytetarëve të Malit të Zi, pra pak më shumë se limiti që ishte për të fituar pavarësinë, 55 për qind.

Në këtë proces, rol të madh kishin luajtur shqiptarët që jetojnë në Mal të Zi. Ata në shumicë dërrmuese e kishin mbështetur pavarësimin e Malit të Zi.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore