Kosova

MPJ e Kosovës për Albanian Post: E kemi njoftuar BE-në për arrestimet e tre kosovarëve


Ilustrim

Ministria e Punëve të Jashtme të Kosovës ka bërë të ditur se ka njoftuar Bashkimin Evropian dhe institucionet e tjera përkatëse për arrestimin e tre kosovarëve në kufirin në Merdar.

Në një përgjigje për Albanian Post, zëdhënësja e MPJ-së kosovare, Qëndresa Fazliu, ka bërë të ditur se Zyra Ndërlidhëse e Kosovës në Beograd në vazhdimësi është duke ndjekur zhvillimet e procedurës për rastet e arrestimeve, për të cilat janë njoftuar edhe Delegacioni i BE-së dhe misionet tjera diplomatike në Serbi.

“Si dhe po ashtu është dërguar shkresë zyrtare edhe tek Zyra Ndërlidhëse e Serbisë në Kosovë”, ka thënë Fazliu për AP.

“Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës është njoftuar zyrtarisht përmes Zyrës Ndërlidhëse të Republikës së Kosovës në Beograd lidhur me arrestimet e reja të qytetarëve të Kosovës në Serbi. MPJD mbetet e angazhuar që bashkërisht me institucionet e nivelit më të lartë të vendit të trajtoj me prioritet çështjen e arrestimeve ilegale të qytetarëve të Kosovës në Serbi, veprime të cilat janë shpeshtuar muajve të fundit”.

MPJ ka theksuar se Serbia vazhdon të mos i respektojë marrëveshjet e arritura për lëvizje të lirë.

“Serbia vazhdon të ketë qasje destruktive dhe të mos i respektojë marrëveshjet e arritura përmes Procesit të Berlinit, konkretisht atë për lëvizje të lirë”.

Fazliu ka përsëritur apelin për qytetarët e Kosovës që të shmangin kalimin nëpër territorin e Serbisë dhe të përdorin rrugë alternative për udhëtim.

Të mërkurën është raportuar për arrestimin e tre kosovarëve nga komuna e Podujevës në pikën kufitare në Merdar.

Lidhur me arrestimin ka reaguar edhe kryetari i Podujevës Shpejtim Bulliqi, i cili tha se qytetarët janë ndaluar për 48 orë.

Bulliqi ka thënë se motivet e arrestimit të tyre nuk dihen përveçse “po dyshojmë se janë hakmarrëse dhe po ndërlidhen me situatën në veri të vendit”, është shprehur Bulliqi.

Ndryshe tre policë të Kosovës janë kidnapuar të mërkurën në mesditë nga forca serbe, brenda territorit të Kosovës, në një nga rrugët e veriut të vendit, që sipas Policisë, shfrytëzohej si rrugë ilegale nga grupet kriminale për kalim ilegal dhe kontrabandë nga Serbia.

Përmes një komunikate për media, Policia e Kosovës, kidnapimi i tyre është bërë në një pikë statike në vendin e quajtur Tresave/Bare.

Sipas njoftimit, tre policët që ishin në detyrë në këtë pikë statike, kishin njoftuar bazën se kanë vërejtur persona të maskuar dhe armatosur. Kur në vendin e ngjarjes, sipas njoftimit, kanë arritur njësitet shtesë të Policisë, aty është gjetur vetura zyrtare, por jo edhe policët.

Policia konfirmon: Janë kidnapuar nga Serbia tre policë kufitarë

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore