Lajme

Moti i keq në Itali vazhdon, anija turistike me 870 pasagjerë thyen ankorimet e saj në Ravenna


Shpërthimet e forta të erës, në valën e motit të keq që goditi rajonin e Emilia Romagna-s pas asaj të Marche-ve, arritën një shpejtësi afër 150 kilometra në orë në rivierën e Romagn-ës.

Nga fuqia e erës në Ravenna anija turistike “Viking” me peshë 48 mijë tonë dhe gjatësi 227 metra theu ankorimet e saj në terminalin e lundrimit në Porto Corsini.

Një ditë më parë, më 16 shtator, ajo ishte larguar herët nga porti i Chioggia-s për të shmangur qëndrimin në det në orët kur priteshin kushtet më të pafavorshme të motit. Por as në port nuk arriti të jetë e sigurt. Era e largoi nga kalata dhe u desh të kryhej një ndërhyrje e jashtëzakonshme nga kapiteneria dhe teknikët detarë për ta bërë të sigurt.

Gjatë operacioneve të rikuperimit nga disa rimorkiatorë, të cilat zgjatën rreth katër orë, 870 pasagjerë ishin në bordin e anijes, si dhe 200 anëtarë të ekuipazhit, për një total prej gati 1 mijë personash.

Edhe pse frika ishte e madhe, nuk pati dëmtime si për varkën ashtu edhe për njerëzit.

Ndërkohë, autoriteti detar ka vendosur që anija të qëndrojë në port deri në konstatimin e saktë të dinamikës së asaj që ka ndodhur.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore