Lajme

‘Moskva’ – Sulmi detar më i suksesshëm në historinë moderne


Vetë Rusia e konfirmoi…

Një nga tre krenaritë e saj, anija luftarake “Moskva”, është fundosur!

Rrethanat janë ende të paqarta mbi autorësinë, por përfundimi, është i njejti – ajo është anija më e madhe luftarake e fundosur që prej Luftës së Dytë Botërore, pasi me 12 mijë e 490 tonët e saj, e tejkalon edhe volumin e anijes argjentinase “General Belgrano”, të shënjestruar nga Marina Britanike në vitin 1982.

“Moskva” në fakt, i dominonte ujërat e Detit të Zi si emri zyrtar i vetë Moskës aty.

Ndaj edhe fakti që ajo tashmë lundron me peshqit, përbën sigurisht një lajm shumë të madh, mbi të gjitha për rrethanat në të cilat bota ndodhet sot.

Përtej simbolikës së humbjes së saj, vlen të përmendet fakti se Rusia nuk do të ketë më një platformë të vërtetë të mbrojtjes ajrore.

Me shumë gjasë, ajo do të jetë e pazëvendësueshme nga Kremlini, pasi është e vetmja e atyre përmasave, e ndërtuar në Ukrainë në vitin 1979.

Me mbylljen e ngushticës së Bosforit dhe Dardaneleve për kalimin e anijeve luftarake nga ana e Turqisë, Rusia nuk do të mund të transferojë një nga dy simotrat e saj në Detin e Zi.

Si mendohet se e arriti Ukraina shënjestrimin e saj?

Raportet e para, sugjestionojnë një koordinim të shkëlqyer të disa taktikave, strategjive dhe vetëdijes së dobësive ruse.

“Moskva” u godit me gjasë nga një silur anti-anije i dizajnuar në Ukrainë dhe i emërtuar si perëndia e detit në Romën e lashtë, Neptune. Kjo ka gjasë të jetë hera e parë që ato përdoren.

Sulmi, ndodhi përgjatë një stuhie sipas informatave paraprake. Kjo gjë, e ka bërë të vështirë fluturimin, por gjithashtu ka penguar shikueshmërinë ruse karshi përgatitjeve ukrainase.

Dronët Bayraktar mendohet se janë përdorur për të shpërqëndruar vëmendjen e ekuipazhit të “Moskva”-s dhe më pas, ka ardhur goditja me Neptune.

Tre mënyra janë të mundshme në këtë aspekt. Ose droni Bayraktar ka evidentuar vendodhjen e anijes për silurin Neptune. Ose ai është bërë “kurban”, duke u sakrifikuar për të goditur anijen. Ose, të dy opsionet bashkë!

Nga ana tjetër, radari i anijes, i vjetëruar në kohë, ka fushëpamje vetëm 180 gradë. Për këtë arsye, ka kufizim në rrjetin e anijes.

Një radar tjetër me fushëpamje 360 gradë është i montuar në anije, por gjasat janë që për shkak të stuhisë, ato nuk kanë dalluar dot silurët neptune nga dallgët e detit. Mbi të gjitha, distanca të cilën ai radar e mat, nuk është shumë e madhe.

Ndaj, ka shumë gjasë që ukrainasit të kenë shpërqëndruar radarët me anë të një droni për të goditur më pas me Neptune.

Me fundosjen e anijes, pavarësisht rrethanave, mund të thuhet qartë se humbësi, është “Mosk(v)a”.

Pasazhet janë fakte të mbledhura nga shkrimtari Chris Owen dhe të publikuara në median e tij sociale Twitter

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore