Lajme

Moskës ‘i qesh fytyra’ për kapitullimin e Boris Johnson-it


Vetëm pak orë pas njoftimit nga ana e kryeministrit britanik, Boris Johnson, se ai po jepte dorëheqjen nga posti i lartë qeveritar dhe drejtimi i partisë konservatore britanike, nga Kremlini vjen reagimi i parë dhe është tregues i qartë i një lloj “lumturie” nga Moska.

“Boris Johnson nuk na kishte shumë qejf ne, ndaj as ne nuk e kemi shumë qejf atë”, do të deklaronte zëdhënësi për shtyp i Kremlinit, Dmitry Peskov, duke përkufizuar se kryeministri britanik nuk pat qenë fort profesional gjatë kohës që ka ushtruar mandatin.

Madje, Peskov shtoi se shpresonte që “në Londër, drejtimin ta marrë një person më i përgjegjshëm, i cili mund të dialogojë e të marrë opinione përpara vendimeve”.

Nga ana tjetër, zëdhënësja për shtyp e Ministrisë së Jashtme ruse, Maria Zakharova, u tha reporterëve se, ajo çfarë i kishte ndodhur Boris Johnson-it, ishte thjesht një “efekt boomerang” që e kishte kapur pasi Johnson ia lëshoi vetes.

Ish-kreu i ekzekutivit britanik tashmë ishte edhe një ndër zërat më kundër Rusisë në kohën e post-luftës së Ukrainës.

Numri një i Kievit, Volodymyr Zelensky, i cili pati zhvilluar edhe një miqësi të ngushtë me Johnsonin pas agresionit rus, ende nuk e ka komentuar largimin e këtij të fundit.

Megjithatë, ishte këshilltari i tij, Mykhail Podolyak, i cili nëpërmjet një statusi në Twitter e falënderoi ish-kryeministrin britanik për gjithçka çfarë kishte bërë për Ukrainën.

Vendi ishullor ndërkaq pret të shohë se kush do të zgjidhet kryeministër i ri i vendit, teksa emrat favoritë nuk mungojnë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore