Shqipëria

“Mos prisni përshëndetje speciale”, Osmani për rezolutën e Parlamentit të Shqipërisë kundër raportit të Dick Marty-it


Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani.

Mos prisni përshëndetje speciale”.

Kjo është një pjesë e deklarimit të Presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, kur u pyet nga gazetarët, se çfarë mendon për rezolutën e votuar nga Parlamenti i Shqipërisë kundër raportit të Dick Marty-it që tentonte përlyerjen e luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Osmani mbrëmë vonë kur u votua rezoluta nuk doli me reagim dhe as në fjalën e saj hyrëse në konferencën e përbashkët për media me Presidentin e Shqipërisë, Ilir Meta, në Prishtinë, nuk e përmendi fare.

E pyetur nga gazetarët se cili është qëndrimi i saj, ajo e barazoi këtë akt si një nga aktet në vazhdën e shumë të tjerëve që bëhen për të dëshmuar pastërtinë e luftës së Kosovës, prandaj s’përbën ngjarje për përshëndetje të veçantë.

“Unë besoj që ju konfirmimin tonë sa i përket pastërtisë së luftës sonë çlirimtare e keni dëgjuar çdo ditë dhe nuk mund të prisni përshëndetje speciale për një ditë të veçantë, sepse qëndrimi ynë është i çdoditshëm, është në çdo frymëmarrje tonën dhe çdo punë që e bëjmë për ta çuar Kosovën përpara ne e nderojmë secilin çlirimtarë”, pohoi Osmani.

Ajo vetë rezolutën e konsideroi si vullnet politik, derisa u përkujdes të shtojë se efekt juridik nuk ka.

“Sa i përket rezolutës së miratuar nga Kuvendi i Shqipërisë natyrisht se rezolutat shprehin vullnetet politike të parlamenteve përkatëse. Por është një parim bazik juridik që thotë se vendimet mund të shfuqizohen vetëm nga organet të cilat i kanë miratuar ato”, pohoi presidentja.

“Ata (deputetët shqiptarë) kanë shprehur atë që të gjithë e thonë, se lufta çlirimtare e Kosovës, lufta çlirimtare e UÇK-së, nuk mund të zhbëhet nga askush, sepse historia nuk ndryshohet asnjëherë nga askush. Kosova s’ka çfarë të fsheh, sepse ne e kemi mbrojtur vetveten”.

“Qoftë rezoluta që miratohen në Kuvendin e Shqipërisë, qoftë ato në Kosovë, ne vazhdimisht e kemi konfirmuar një të vërtetë që s’do mund të ndryshohet nga askush, pavarësisht përpjekjeve të Serbisë e Rusisë. E vërteta është kjo”.

Në fakt, rezoluta e votuar në Parlamentin e Shqipërisë të enjten mbrëma edhe mund të ketë efekt juridik më vonë, sepse Shqipëria, si shtet anëtare në Këshillin e Evropës, i kërkon KiE-së që të rishqyrtojë edhe një herë rezolutën e votuar në vitin 2011, që kërkonte hetim për akuzuat e raportit të Marty-it, i cili pretendonte se shqiptarët kanë kryer trafikim të organeve me njerëz – pretendime që s’u provuan asnjëherë.

Meqë, as pas shumë hetimesh ndërkombëtare, nuk doli gjë e vërtetë nga raportit i ish-senatorit zviceran, Shqipëria tash kërkon që KiE ta shtojë, qoftë edhe brenda rezolutës së vitit 2011, se hetimet rezultuan pa gjetjen e asnjë prove.

Gjithsesi, për Osmanin, çfarë votoi parlamenti shqiptar s’është një rast që meriton përshëndetje speciale, porse duhet të shihet në tërësinë e përpjekjeve të përgjithshme për dëshmimin e pastërtisë së luftës çlirimtare në Kosovë.


Osmani me shumë falënderime për Metën: Kosova është shtëpia juaj, miqësinë do e vazhdojmë, jeni krahu ynë

Me shumë fjalë miradije, Vjosa Osmani, presidentet e Kosovës, i është drejtuar homologut të saj shqiptar, Ilir Metës, në konferencën e përbashkët për media, në Prishtinë.

Vizita e Metës në Kosovë në fund të mandatit të tij si president i Shqipërisë, është parë si një tjetër gjest i përkushtimit të tij për Kosovën, në sytë e Osmanit.

“Kosova ka qenë dhe do të mbetet shtëpia juaj e dytë. Po e përfundoni mandatin, por miqësia do mbetet e përhershme”, pohoi Osmani.

Ajo ka deklaruar gjithashtu se “marrëveshjet e arritura mes dy qeverive shqiptare duhet t’i zbatojmë edhe në praktikë që ta forcojmë bashkëpunimin”.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani dhe presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta.

“Kosovën e Shqipërinë i bashkon shumëçka, por çka na bashkon edhe më shumë është e ardhmja e përbashkët euro-atlantike”, deklaroi Osmani.

“Në emër të të gjithë qytetareve të Kosovës ju faleminderit për ndihmën që keni dhënë për Kosovën dhe mezi presim ta vazhdojmë këtë bashkëpunim”, pohoi ajo.

Kjo vizitë e Metës ka qëlluar në ditën e 12 vjetorit kur Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë vendosi se pavarësia e Kosovës ishte një veprim krejtësisht në përputhje me ligjet dhe normat ndërkombëtare.

“Faleminderit që në të gjitha këto punë keni qenë krahu ynë”, e përfundoi Osmani fjalën e saj, duke lavdëruar Metën.

Presidentja Osmani në fjalën e saj, ka përmendur edhe një herë se Kosova po përgatit dosjen për të aplikuar në fund të vitit si vend kandidat në Bashkimin Evropian.

Lajmi në përditësim…

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore