Lajme

Moldavia dëbon 45 pjesëtarë të stafit diplomatik rus për spiunazh


Moldavia do të dëbojë 45 diplomatë rusë dhe punonjës të tjerë të ambasadës për shkak të “veprimeve të tyre jo miqësore”.

Por totali do të ulet në vetëm 25 – një shifër më afër numrit që Moldavia ka në ambasadën e saj në Moskë.

Që nga pushtimi i plotë i Ukrainës nga Rusia në shkurt 2022, qeveria moldave ka akuzuar Moskën për spiunazh dhe mbështetje të grupeve opozitare.

Ndërkohë, Rusia e ka dënuar dëbimin dhe ka thënë se “nuk do të mbetet pa përgjigje”.

Ministria e Jashtme e Moldavisë ka shprehur shqetësim rreth një raporti mediatik mbi pajisjet e reja të mbikëqyrjes të instaluara në çatinë e ambasadës ruse dhe një ndërtesë fqinje të përdorur nga Rusia.

Ministria ka bërë me dije se ishte nxitur nga “tensionet e vazhdueshme dhe veprimet jomiqësore” dhe rusët do të duhej të largoheshin deri më 15 gusht.

“Për shumë vite ne kemi qenë objekt i veprimeve dhe politikave armiqësore ruse. Shumë prej tyre u bënë nëpërmjet ambasadës”, ka thënë ministri i Jashtëm moldav Nicu Popesku.

Kurse zëdhënësja e ministrisë së Jashtme ruse Maria Zakharova ka thënë se “hapi jomiqësor i Moldavisë nuk do të mbetet pa përgjigje”.

Sipas saj, kjo do të nënkuptonte kufizime në shërbimet konsullore dhe në kontaktet e moldavëve me Rusinë, megjithëse nuk njoftoi masa specifike.

Me një popullsi prej vetëm 2.6 milionë banorësh, Moldavia është një nga ekonomitë më të varfra të Evropës dhe ka qenë shumë e ekspozuar ndaj luftës në Ukrainën fqinje.

Ajo është përballur me një krizë të madhe energjetike, sepse infrastruktura e saj e energjisë daton që nga epoka sovjetike.

Rusia jo vetëm kufizoi furnizimet me gaz, por sulmet e saj në rrjetin elektrik të Ukrainës shkaktuan gjithashtu ndërprerje sporadike të energjisë në Moldavi.

Pushtimi shkaktoi gjithashtu një fluks refugjatësh ukrainas, duke tendosur shërbimet publike të Moldavisë.

Rusia mbështet separatistët që kontrollojnë një territor të shkëputur në Moldavi – Transnistria – në një konflikt të ngrirë që është acaruar që nga vitet 1990.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore