Sport

MKRS mbështet sportistët që do ta marrin pjesë në Lojërat Olimpike Dimërore “Pekin 2022”


Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit të Kosovës, ka përkrahur me shumën e 56 mijë e 815 eurove, sportistët kosovarë që do të marrin pjesë në Lojërat Olimpike Dimërore “Pekin 2022”.

Gjatë ditës së enjte u nënshkrua aneks memorandumi i bashkëpunimit mes MKRS-së dhe Komitetit Olimpik të Kosovës (KOK), ku këta të fundit thanë se përkrahja ka ardhur për tu përgatitur sa më mirë për “Pekin 2022”.

Në KOK thuhet: “Po ashtu, kjo marrëveshje do të shërbejë për përpilimin e Planit Strategjik të Komitetit Olimpik të Kosovës 2021-24”.

Mbështetja financiare për KOK-un është prej kategorisë së subvencioneve dhe vjen si përkrahje për organizimin dhe avancimin e sportit në Kosovë dhe pjesëmarrjen e përfaqësimin sa më të mirë të sportistëve kosovarë në garat ndërkombëtare.

Marrëveshja është nënshkruar nga presidenti i KOK-ut, Ismet Krasniqi dhe ministri i MKRS-së, Hajrulla Çeku, ndërsa të pranishëm ishin edhe zëvendësministrja Daulina Osmani dhe koordinatori i edukimit arsimor në Akademinë Olimpike, Fitim Arifi.

Lojërat Olimpike “Pekin 2022” do të fillojnë me 4 shkurt të vitit të ardhshëm dhe do të mbarojnë me 20 shkurt.

Kujtojmë që deri më tani, pjesëmarrjen e sigurt në “Pekin 2022” e ka skitari, Albin Tahiri, i cili ka plotësuar normën olimpike për katër disiplina.

Derisa, normë olimpike pritet ndoshta që të fitojë edhe skitarja tjetër, Kiana Kryeziu, kurse dy deri në tre sportistë tjerë, priten të marrin pjesë me ftesë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore