Shqipëria

Miratohet vendimi- Non gratat, jashtë strukturave qendrore të PD-së


Individët e shpallur non grata nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA), nuk do të lejohen më të jenë pjesë e Partisë Demokratike të Shqipërisë (PD).

Ky ka qenë vendimi i parë i miratuar nga Kuvendi që ka thirrur lidership-i zyrtar i demokratëve, Lulzim Basha, të shtunën e 18 dhjetorit, duke lënë jashtë strukturave qendrore të PD-së, ish-kreun e demokratëve, Sali Berisha.

“Shpallja non grata nga qeveria e SHBA-ve është e papajtueshme me çdo funksion drejtues në Partinë Demokratike të Shqipërisë”, shkruhet në rezulutë.

Gjithashtu, delegatët demokratë kanë shpallur “nul” vendimet e marra gjatë Kuvendit të thirrur nga ish-kreu i PD-së, Sali Berisha, më 11 dhjetor.

Gjatë Kuvendit të Berishës, delegatët e thirrur shkarkuan nga detyra nënkryetarët e PD-së, si edhe Sekretarin e Përgjithshëm. Gjithashtu vendosën që, më 18 dhjetor, të mbahej një Referendum për shkarkimin edhe të kryedemokratit Lulzim Basha.

Së dyti, u miratua dhe shkarkimi nga detyra i kryetarit të Këshillit Kombëtar, Edi Paloka dhe anëtarëve të kryesisë, përfshirë Flamur Noka, Aldo Bumçi, Gent Strazimiri, Albana Vokshi dhe Oerd Bylybashi.

“Të mbështesë fuqimisht iniciativën për dekomunistizimin e vendimarrjes dhe përfaqësimit politik në të gjitha institucionet shtetërore dhe publike dhe partitë politike”.

Nga detyra u shkarkuan dhe sekretarët e kryesisë, Ervin Minarolli, Ivi Kaso, Belind Kelliçi dhe Ledina Mandia.

Po ashtu, u votua dhe krijimi i Aleancës Qytetare për Demokraci, që sipas demokratëve, ka si qëllim bashkëpunimin më të ngushtë me shoqërinë.

Sipas kreut të Komisionit të dalë nga Kuvendi i Bashës, Aleanca do të përbëhet nga intelektualë dhe njerëz të spikatur në shoqëri, që “shfaqin parimet e PD-së”.

Kurse, nënkryetari i kësaj partie, Enkelejd Alibeaj, shpjegoi se anëtarët nuk do të kenë nevojë që të jenë anëtarë të PD-së.

Në kuvend morën pjesë 5 mijë e 4 delegatë nga 7 mijë e 600 prej tyre, sipas Gjanës.

“Kuvendi ka gjithsej 7 mijë e 600 delegatë. Sipas prezencës së nënshkruar prej secilit prej tyre, janë të pranishëm në Kuvendin Kombëtar 504 delegatë”, u shpreh ai.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore