Lajme

Miratohet projektligji për Fondin Sovran – “Qeveria bëhet më e vogël e shteti më i fortë”


Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.

Në mbledhjen e Qeverisë së Kosovës, të mërkurën është shqyrtuar edhe projektligji për Fondin Sovran të Kosovës.

Kryeministri, gjatë këtij shqyrtimi tha se ekzekutivi qëndron fuqishëm prapa këtij vizioni, pasi sipas tij një nismë e tillë dërgon “në stabilizim të ekonomisë”.

Sipas tij përmes këtij projektligji, “Qeveria bëhet më e vogël e shteti më i fortë e më i pasur”.

“Viti 2017, është viti ku për herë të parë evokojmë për idenë për themelimin e Fondit Sovran në fillim të qeverisjes sonë në vitin 2021 e miratuam koncept-dokumentin mbin Fondin Sovran të përgatitur nga ekspertet”.

“Qeveria jonë qëndron fuqishëm prapa këtij vizioni duke besuar që një nisme e tillë do të rezultojë me stabilizim të ekonomisë përmes diversitetit, krijimit të profilit të shtetit përmes investimeve të mençura e me gjenerim të pasurisë për gjeneratat që vinë”, tha Kurti.

Çka është Fondi Sovran?

Fondit Sovran pritet t’i bartet pasuria më e rëndësishme publike e Kosovës.

Ky është mekanizmi përmes së cilit Qeveria e Kosovës mbledhë shumën e mjeteve monetare – surpluset e rezervave, shitja e resurseve natyrore, privatizimet – për qëllime të investimeve strategjike.

Në këtë pasuri, me të cilën do të menaxhojë Fondi Sovran, hyjnë ndërmarrjet publike të shtetit, ndërmarrjet shoqërore dhe asetet strategjike, të cilat aktualisht menaxhohen nga Agjencia Kosovare e Privatizimit (AKP).

Kjo ka nisur të rregullohet përmes një Projektligji për Fondin Sovran, i cili u publikua më 13 mars dhe deri më 2 prill do të jetë në konsultim publik. Pas konsultimeve procedohet për miratim në Qeveri dhe më pas në Kuvendin e Kosovës.

Projektligji e definon Fondin Sovran si institucion investues dhe zhvillimor të Kosovës. Kapitali themeltar i Fondit Sovran, siç thuhet në projektligj, është 20 milionë euro dhe mbulohet nga Qeveria e Kosovës.

Krijimi i Fondit Sovran ka qenë premtim elektoral i partisë në pushtet, Lëvizjes Vetëvendosje. Ky premtim pas marrjes së pushtetit është futur edhe në programin qeverisës katërvjeçar.

Kosova vazhdon të ketë probleme të mëdha ekonomike.

Opozita po e akuzon ekzekutivin për politika të gabuara ekonomike, derisa dhjetëra mijëra qytetarë, kryesisht të rinj të papunë e profesionistë të dëshpëruar, po largohen nga Kosova drejt Perëndimit.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore