Shqipëria

Miratohet buxheti për shëndetësinë


Komisioni për Punën, Çështjet Sociale dhe Shëndetësinë, të mërkurën e 10 nëntorit ka miratuar në parim buxhetin për shëndetësinë.

Përkatësisht, kjo e fundit përfshin rritje të konsiderueshme në funksion të sistemit dhe mbrojtjes sociale, me një vlerë që zë 4.89% të PBB-së.

Po ashtu në Komision është diskutuar projektligji “Për buxhetin e vitit 2022” në disa institucione, si: FSDKSH, ISSH, Urdhri i Mjekëve, Urdhri i Farmacistit dhe Urdhri i Psikologut.

Gjithashtu u shqyrtua në parim projektligji “Për buxhetin e vitit 2022”, si dhe me Ministrinë e Financave dhe Ekonominë dhe me Ministren e Shtetit për Rininë dhe Fëmijët.

Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu, më herët ka deklaruar se në buxhet janë parashikuar 2.7 miliardë lekë, të cilat shkojnë vetëm për procesin e vaksinimit ndaj COVID-19.

Përtej kësaj, 2 miliardë të tjera shkojnë për investime dhe 900 milionë shtesë për përgjigjen ndaj pandemisë. Në vëmendje të shëndetësisë do të jetë veçanërisht edhe mbrojtja sociale.

Ndihma ekonomike do të rritet me 10% gjatë vitit 2022. Po ashtu, pritet të dyfishohet masa e mbrojtjes së fëmijëve jetimë. Edhe për gratë e trafikuara dhe të dhunuara, do të ketë një rritje me 3 herë të masës ekonomike.

Mbi pagat e personelit shëndetësor, më konkretisht, pritet të rriten në masën 6%. Ndërsa, sigurimi i vaksinave mbetet parësor edhe për vitin 2022.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore