Lajme

MINT ndan grante për përkrahjen e bizneseve të reja


Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari, gjatë konferencës për media

Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë (MINT) , Rozeta Hajdari, ka bërë të ditur se dikasteri të cilën ajo e drejton ka lansuar tri skema të granteve që do të jenë në dispozicion për ndërmarrësit dhe personat fizikë, me synim hapjen e vendeve të reja të punës dhe fuqizimin e sektorit privat.

Buxheti i ndarë për këtë vit për grante e kap shifrën e tre milion eurove, shumën të cilën do të përfitojnë prodhuesit dhe bizneset e reja.

“E gjithë kjo ndihmë është për krijimin e vendeve të punës dhe më gjerë. Bazuar në objektivat strategjike të programit qeveritar japim këtë përkrahje përmes kësaj ministrie që të fuqizojmë sektorin privat. Sa i përket grandeve këtë vit kemi ndarë nga buxheti mjete prej 3 milionë eurove”, ka thënë Hajdari gjatë një konference për media.

“Kemi qëllim për përkrahjen e të gjithë sektorëve dhe të zvogëlojmë deficitin tregtar, të rrisim investimet dhe eksportin. Fushë veprimtarit që do të përkrahin janë prodhuesit. Do të përkrahim bizneset fillestare dhe ndërmarrësit e rijnë”, ka shtuar ajo

Hajdari, gjithashtu ka njoftuar se personat të cilët dëshirojnë të aplikojnë në këto grante, duhet të kyçen në platformën E-Kosova nga data 26 gusht deri me 15 Shtator.

Ajo ka shpjeguar edhe arsyen se pse kanë zgjedhur mënyrën elektronike për të aplikuar në këto grante duke thënë se në këtë mënyrë procesi do të jetë më transparent.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore