Shqipëria

Ministrja Xhaçka takon homologun e saj Bujar Osmani


Ministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme (MEPJ), Olta Xhaçka, takoi homologun e saj, Ministrin e Jashtëm të Maqedonisë së Veriut, Bujar Osmanin.

Ministrja Xhaçka theksoi se Shqipëria bashkë me Maqedoninë e Veriut i kanë plotësuar kushtet për miratimin e kornizës negociuese.

“Gjithkush që e njeh rajonin tonë, besoj e kupton që arsyeja përse ka qenë e mundur që të hidhen hapa kaq të guximshme përpara, është sepse pjesa dërrmuese e popullsive tona, besojmë tek perspektiva evropiane. Do të ishte për të ardhur keq, në qoftë se kjo punë kaq e madhe e ky besim kaq i madh do të zhgënjeheshin sërish”.

Xhaçka vlerësoi rolin e faktorit shqiptar në Maqedoninë e Veriut, duke e cilësuar atë si vendimtar në proceset euro-atlantike. Gjithashtu ajo tha se faktori shqiptar atje ishte si një urë lidhëse miqësie e bashkëpunimi mes dy vendeve.

Në fjalën e tij, ministri Osmani u shpreh i hapur për bashkëpunim të ndërsjelltë mes dy vendeve. Ai theksoi se kjo do të sillte një impuls të ri në rajonin e Ballkanit.

Gjithashtu, ai u shpreh entuziast për firmosjen e marrëveshjes së bashkëpunimit dypalësh në fushën e diasporës si dhe bashkëpunimin tre palësh Shqipëri-Maqedoni e Veriut-Bullgari.

Ardhja e Ministrit Osmani në Tiranë shënon vizitën e parë të një Ministri të Jashtëm në Shqipëri, që prej dekretimit të Ministres Xhaçka në krye të MEPJ.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore