Lajme

Ministrja Rizvanolli deklarohet para komisionit hetimor: Ja çfarë ndodhi në kohën e krizës me energji


Artane Rizvanolli

Artane Rizvanolli, ministre e Ekonomisë së Kosovës, ka dhënë deklarimin e saj para komisionit hetimor parlamentar për kohën e krizës energjetike në vend, kur qeveria dha mbi 100 milionë euro si subvencione.

Opozita në Kosovë ka pasur pretendime se në këtë kohë janë bërë keqpërdorime, prandaj edhe formoi një komision parlamentar të përkohshëm.

Rizvanolli ka filluar raportimin duke përshkruar kohën e krizës dhe pohoi se u gjenden në një pozitë tejet të vështirë për shkak se kriza ishte globale.

“Në vendin e rajonit dhe BE-së veçse ishin duke u përdorur subvencionet”, tha Rizvanolli, duke treguar se kishin formuar një grup teknik që do të bënte vlerësimin e gjendjes.

“Grupi ka rekomanduar që kostoja shtesë të mbulohet nga qeveria dhe për shkak të linjave të bllokuara nga Serbia mund të ketë ditë dhe momente kur s’ka mundësi të blihet energji fare, sepse s’ka kapacitetet interaktiv. Prandaj ka qenë sugjerim që të subvencionohen kostot e importit”, pohoi Rizvanolli.

“Pasi e kam marrë raportin, kemi pasur biseda dhe gjatë këtyre takimeve të rregullta nga KEK-u jemi informuar se po bëjnë përpjeke që të mbajnë tri blloqe në punë. Rrjedhimisht me 25 nëntor kam kërkuar që ky grup teknik ta bëjë edhe një vlerësim të ri më optimist, me KEK-un që operon në kapacitetet më të mëdha”.

“Me 17 dhjetor veç kemi nda 20 milionë euro. Në ndërkohë grupi teknik ka bërë edhe një analizë shtesë, por derisa ne mendonim që edhe një subvencion më të vogël ta kalojmë dimrin, kemi pasur avarinë dhe rënien e nga bllokut të Kosovës B, që më pas ka nxjerr nga binarët të gjitha planifikimet në atë moment”.

“Kur ka ndodhur kjo, ka qenë një situatë që çmimet në tregun evropian veçse kanë vazhduar të rritën edhe më tej në nivele të papara më herët dhe të paparashikuara nga ekspertët”.

Rizvanolli gjithashtu pohoi se “që nga viti 2017 kemi pasur rritje të vazhdueshme të konsumit dhe pikërisht kur jemi përballur me një krizë të paparë më herët ne kemi arritur rekord si shtet sa i përket kërkesës për energji elektrike dhe kjo e ka vështirësuar, duke arritur në një moment që kërkesa në krahasim me 2017 ka qenë mbi 30 për qind më e lartë”.

“Të gjitha këto kanë bërë që të kemi situatë të disfavorshme, në ndërkohë me datën 15 dhjetor, nëse nuk gaboj, kemi dhënë një zotim për ndarje të 20 milionë euro të tejkalimit të krizës dhe pastaj e kemi aprovuar në qeveri këtë vendim. Pas kësaj është nënshkruar një marrëveshje me KEK për importin e energjisë elektrike, gjë që ka ndikuar që ne të arrijmë siguri të furnizimit, që ka qenë objektivi kryesor në atë kohë të vështirë, pasi kishim edhe reduktime”.

“Qeveria më paska vendosur të ndajë edhe 10 milionë të tjera, shpenzimi i të cilave ka filluar menjëherë. Paralelisht kemi pasur procesin tarifor dhe edhe një vendim të qeverisë për 90 milionë euro për periudhën tarifore”.


A u paralajmërua qeveria shumë më herët për krizën?

Anëtari i Komisionit parlamentar, Ferat Shala, nga Partia Demokratike e Kosovës e ka pyetur ministren se a u është përgjigjur shkresave të institucioneve energjetike në Kosovë, të cilat, sipas tij, kanë alarmuar për krizë të mundshme qysh në muajit e verës.

Ministrja ka thënë se nuk i kujtohet nëse ka pranuar shkresa të tilla aq herët.

“Gjatë tetorit dhe nëntorit kam marr dy shkresa që më kanë informuar për rritjen e konsumit të energjisë, që kanë informuar gjithashtu që për shkak të nevojës për import mund të ngulfatën kapacitetet e transmisionit”, pohoi ajo.

“Ndërsa, sa u përket hapave që kemi ndërmarrë, në momentin që kemi dëgjuar çfarë po ndodhë në Evropë dhe në momentet kur kemi menduar se Kosova do të preket, kemi ndërmarrë masa”.


Rizvanolli: Vendimi i ZRrE-së për tarifat ka qenë autonom, s’kemi ndërhyrë ne si Qeveri

Rizvanolli është pyetur edhe për vendimin për rritjen e çmimit të energjisë elektrike, çmime të cilat duhet t’i caktojë Zyra e Rregullatorit të Energjisë Elektrike.

Nga deputeti i PDK-së Ferat Shala, ministrja u pyet nëse kanë ndërhyrë në vendimin e ZRrE-së, por ministrja e ka mohuar ndikimin.

“Kriza është e paprecedent dhe e jashtëzakonshme. Ne kemi pasur edhe asistencë teknike ndërkombëtare. Kemi parë edhe si shtetet e ndryshme e kanë adresuar krizën. Çfarë kemi parë është që në përgjithësi në Evropë ka skema më të targetuara, meqë standardi është më e lartë, në Rajon janë përdorur për të gjithë konsumatorët, pasi standardi është më i ulët”, tha ajo.

“Kjo ka qenë arsyeja që kemi shkuar me subvencionim të përgjithshme dhe jo me targetime të veçanta. Nuk konsideroj që komentet janë ndërhyrje, kanë të drejtë t’i japin të gjithë, konsultimet kanë qenë të hapura për të gjithë. Ka pasur mendime të ndryshme, por vendimi ka qenë i rregullatorit, pra i ZRrE-së. Ka pasur autonomi në këtë vendim rregullatori”.

Lajmi në përditësim…

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore