Shqipëria

Ministrja Kushi në Ditën Ndërkombëtare të Rinisë: Nuk do t’i ndalim përpjekjet për ju


Në Ditën Ndërkombëtare të Rinisë, ministrja e Arsimit, Sportit dhe Rinisë, Evis Kushi, ka uruar të rinjtë shqiptarë nëpërmjet një video-mesazhi, të publikuar në median sociale Facebook.

Të enjten e 12 gushtit, Kushi ka theksuar dhe një herë mbështetjen e vendimmarrësve dhe të gjithë shoqërisë ndaj të rinjve.

Gjithashtu, ajo është zotuar që do të ofrojë më tepër cilësi në arsim, më shumë mundësi punësimi sipas nevojave të tregut, shanse të barabarta, “në mënyrë që pjesëmarrja e të rinjve në vendimmarrje dhe jetën publike në vend të rritet”.

“Është në detyrën dhe përgjegjësinë tonë që të mos i ndalim për asnjë moment përpjekjet për ju”, theksoi ajo.

Ndër të tjera, ministrja Kushi tha se, “rinia është dhe do të jetë një nga prioritetet e qeverisjes”, jo vetëm për 4 vitet e ardhshme, por edhe në vizionin “Shqipëria 2030”.

“E me të gjitha këto synojmë pa dyshim jo vetëm përmirësimin e cilësisë së jetës dhe rritjen e standardeve, por edhe pajisjen tuaj me dije e aftësi të konkurruese me të rinjtë e të rejat në BE”, shprehet ajo.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore