Kosova

Ministria e Mbrojtjes mohon se FSK po përgatitet të ndërhyjë në Veri


Ministria e Mbrojtjes e Republikës së Kosovës

Ministria e Mbrojtjes e Republikës së Kosovës ka mohuar raportimet se Forcat e Sigurisë të Kosovës (FSK) po bëjnë përgatitje ushtarake që të futen në veriun e Kosovës pas provokimeve të së premtes nga ushtria serbe, e cila hyri në territorin e Kosovës me tre helikopterë.

FSK merr vendim në përputhshmëri me Kushtetutën dhe koordinim me KFOR-in, thuhet në njoftimin e Ministrisë së Mbrojtjes.

“Ministria e Mbrojtjes me FSK-në, është institucion shtetëror që realizon detyrat dhe kompetencat e saj në përputhje me dispozitat e Kushtetutës së Republikës së Kosovës dhe ligjeve në fuqi si dhe në koordinim të plotë me autoritetet tjera shtetërore dhe KFOR-in”.

“Andaj, Ministria e Mbrojtjes, me qëllim të informimit të drejtë të opinionit publik reagon ndaj të gjitha lajmeve të rrejshme, propagandës qëllimkeqe, dezinformatave dhe shkrimeve tendencioze dhe të pavërteta, të shpërndara në mesin e qytetarëve tanë në pjesën veriore të Kosovës, disa nga to edhe të publikuar në mediume”.

“Dezinformatat se, kinse FSK është duke përgatitur trupa ushtarake për ndërhyrje në Veriun e Kosovës, janë plotësisht të pavërteta, dhe kanë për qëllim dezinformimin e opinionit, për të paraqitur një situatë pasigurie për qytetarët tanë të komunitetit serb”, thuhet në njoftim.

Forca e Sigurisë së Kosovës-FSK

Veprimet e FSK-së janë profesionale dhe ato bëhen vetëm në “bashkëveprim, koordinim dhe mbështetje të plotë të NATO-s, SHBA-së dhe partnerëve tjerë anëtarë dhe partnerë të NATO-s”, përfundon njoftimi.

Ndërsa në Jarinje dhe Brnjakë, edhe serbët të cilët po qëndrojnë atje po provokojnë në vazhdimësi Policinë e Kosovës me qëllim të nxitjes së dhunës.

Hyrja e tre helikopterëve të ushtrisë serbë në territorin e Kosovës ka motivuar edhe më shumë serbët protestues, duke u dhënë “guxim” që të bëjnë sjellje të ulëta ndaj policisë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore