Lajme

Ministria e Ekonomisë: Vjedhjet e rrymës kapin shifra marramendëse, do ta luftojmë këtë dukuri  


Ilustrim

Një ditë pasi Korporata për Distribuimin e Energjisë Elektrike në Kosovë KEDS, njoftoi se tash e tutje në Kosovë do të vazhdohet me reduktime të energjisë elektrike, Ministria e Ekonomisë përmes një komunikate për media ka filluar të arsyetohet se pse një dukuri i tillë po ndodh në Kosovë.

Sipas Ministrisë së Ekonomisë njëra ndër arsyet është edhe përdorimi i paautorizuar i energjisë elektrike, të cilën ky dikaster është zotuar se do ta luftojë.

Vjedhjet e energjisë elektrike gjatë vitit 2021, sipas këtij dikasteri kanë qenë deri në 110 milionë euro.

“Ndërsa për vitin 2022 vjedhjet parashikohen të arrijnë deri në 99 milionë euro, nëse çmimi i energjisë nuk rritet më tej në bursat ndërkombëtare”, thuhet në komunikatën për media nga Ministria e Ekonomisë.

Ministria e Ekonomisë ka njoftuar më tej se është duke marrë masat e duhura në ndërprerjen e përdorimit të paautorizuar të energjisë elektrike së bashku me organet ligjzbatuese dhe kompaninë e distribuimit të energjisë elektrike, KEDS, e cila e ka për detyrë sipas kontratës së privatizimit që t’i ndalë ato.

“Këto vjedhje të energjisë elektrike, jo vetëm që janë vepra penale sipas Kodit Penal, por tashmë janë një kosto e papërballueshme që duhet të paguhen nga paratë e të gjithëve nëse nuk ndalen. Kryerësit e këtyre veprave, energjinë e vjedhur e shfrytëzojnë në mënyrë jo racionale, jo për nevojat bazike. Kyçjet e paautorizuara në rrjetin e energjisë elektrike përbëjnë rrezik edhe të jetës dhe rrezik në stabilitetin e rrjetit të distribuimit”, thuhet më tej në komunikatën për media.

Si rrodhi situata?

Të dielën afër mesnatës, Korporata për Distribuimin e Energjisë Elektrike në Kosovë KEDS, njoftoi se nga e hëna, 15 gusht, do të fillohet me reduktime.

Reduktimet parashiheshin që pa përjashtim, të ishin gjashtë orë me furnizim me energji elektrike dhe dy të tjerë pa rrymë.

Kjo po bëhej për shkak të humbjeve dhe disbalancit që ishte krijuar, thuhej në njoftim.

Gjatë ditës, Ministria e Financave fillimisht doli me një njoftim se arsye e humbjeve janë vjedhjet që ndodhin brenda KEDS-it dhe la fajin te kjo kompani për detyrimin që të shkohet me ndërprerje.

Tani, njoftimi i fundit tregon se në bashkëpunim me Shqipërinë, reduktime nuk do të ketë, gjithsesi situata e rënduar vazhdon.

Qeveria në ndërkohë ka njoftuar se do të marrë në kontroll verifikimin e humbjeve në sistem, për të parë se ku po ndodhë vjedhje.

Në anën tjetër, opozita në Kosovë akuzon qeverinë e Albin Kurtit se faji është krejtësisht te keqmenaxhimi qeveritar dhe paaftësia për të ndërmarrë masa shumë më herët.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore