Lajme

Ministria e Drejtësisë demanton lajmin për pezullimin e marrëveshjes për burgje me Danimarkën


Ministria e Drejtësisë.

Zëvendësministri i Drejtësisë, Blerim Sallahu, ka demantuar raportimet se marrëveshja për burgjet mes Kosovës dhe Danimarkës është pezulluar.

Sallahu këtë e ka bërë të ditur përmes një shkrimi në rrjetin social ‘Facebook’.

“Duam të njoftojmë opinionin dhe publikun e gjerë se lajmet e shpërndara se gjoja Mbretëria e Danimarkës është tërhequr nga Traktati ndërmjet Republikës se Kosovës dhe Mbretërisë së Danimarkës për shfrytëzimin e institucionit korrektues në Gjilan me qëllim të ekzekutimit të dënimeve daneze nuk qëndron dhe nuk është i vërtetë”, ka shkruar ai.

Teksa ka thënë se konfirmimin e kanë marrë edhe nga Danimarka të hënën.

“Gjatë ditës së sotme, kemi komunikuar drejtpërdrejt me zyrtarët nga Ministria e Drejtësisë së Mbretërisë së Danimarkës dhe ata na kanë konfirmuar se qëndrojnë tërësisht pranë zotimeve të dakorduara në Traktat dhe asgjë nuk ka ndryshuar në raport me marrëveshjen e përbashkët”.

“Është e rëndësishme të theksohet se tashmë shteti danez e ka ratifikuar Traktatin edhe në Parlamentin e tyre dhe gjithçka po vazhdon sipas planit të paracaktuar drejt përmbushjes së obligimeve të dyanshme mes nesh”.

Sallahu, ka theksuar se shumë shpejt do të procedohet për shfrytëzimin e institucionit korrektues në Gjilan.

“Në këtë drejtim, edhe ne së shpejti do të procedojmë Traktatin ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Mbretërisë së Danimarkës për shfrytëzimin e institucionit korrektues në Gjilan me qëllim të ekzekutimit të dënimeve daneze për në Qeverinë e Republikës së Kosovës për miratim, prej ku do të përcillet për në Kuvend për ratifikim”.

Marrëveshja e Danimarkës me institucionet korrektuese që të dërgohen disa të burgosur është pezulluar.

Kështu kishte bërë të ditur mediumi “Ekstrabladet” gjatë ditës së hënë.

Qendra e Paraburgimit në Gjilan.

Kjo marrëveshje ishte përcjellë me kritika nga shoqatat e të drejtave të njeriut në Danimarkë.

Në tetor të vitit 2020, institucionet Korrektuese të Kosovës filluan një bashkëpunim me institucionet korrektuese të Danimarkës.

Ministri i Drejtësisë së Danimarkës, Nick Hakkerup, kishte deklaruar se kjo marrëveshje me Kosovën është diskutuar që një vit.

“Nënshkruam një letër qëllimi. Është një gur themel për bashkëpunimet e tjera mes Kosovës. Shërbimi Korrektues i Danimarkës ka qenë i mbingarkuar dhe Kosova është kontaktuar para një viti”, kishte potencuar Hakkerup.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore