Kosova

Ministria e Arsimit në Kosovë dhuron bursa për një kolegj që është 8 mijë e 957 pozita më keq se UP-ja


Minisetrja e Arsimit, Arberie Nagavci

Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Hykmete Bajrami, ka polemizuar me ministren e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Arbërie Nagavci, duke e akuzuar për marrëveshje me një kolegj të dobët në Greqi.

“Nagavci ka nënshkruar marrëveshje me një kolegj privat në Greqi që listohet shumë poshtë në cilësinë e studimeve”, ka thënë ish-ministrja e Arsimit.

Bajrami, në seancën e sotme parlamentare, ka pyetur se “pse u bë kjo marrëveshje dhe interes i kujt është ky”.

“I bëj thirrje kryeministrit që kjo marrëveshje të anulohet, ky është keqpërdorim i pushtetit dhe parasë publike”, ka thënë Bajrami, për marrëveshjen e dhurimit të 60 bursave të studentëve nga Kosova në Kolegjin CITY.

Bajrami po ashtu ka deklaruar se “thirrja në ndryshim, nuk është ndryshim”. Sipas, saj në këtë marrëveshje ka punë edhe prokuroria.

“Ky kolegj është privat, plus jashtë vendit, por kemi në Kosovë kolegje edhe më të mira. Pse nuk po jepni bursa për kolegje vendore, por për një kolegj që listohet tepër poshtë jashtë vendit”, ka thënë Bajrami.

Ministrja Nagavci e ka arsyetuar vendimin e saj, duke u thirrur në të kaluarën dhe dhurimin e bursave për universitetet jashtë vendit.

” Keqpërdorimet në të kaluarën kanë qenë nga stafi i ministrisë që kanë qenë të lidhur ngushtë me politikën dhe kanë përfituar, kësaj radhe nuk kemi lejuar dhe që ndonjë punëtorë do të ketë ndonjë konflikt interesi për të përfituar nga mundësia e shpërndarjes së bursave”.

“Kolegji është pjesë e kampusit evropian të universitetit të Jorkut, diplomat lëshohen nga ai. Nëse e shohim për rangimin, atëherë besoj se duhet të shikohet i universitetit që i pranojnë studentët e që është i ranguar i 133-ti. Dhe për më shumë ajo që e përmenda është e rëndësishme që ne kemi përjashtuar nga mundësia e përfitimit çfarëdo personi që mund të ketë konflikt interesi, siç ka ndodhur në të kaluarën” , tha Nagavci.

Për këtë sërish i ka reaguar Bajrami, duke thënë se renditja e kolegjit CITY është 11 mijë e 979, 8 mijë 957 pozita më poshtë se UP-ja.

“Ne rekomandojmë që të mos shpenzoni pare për kolegje të dobëta”, tha Bajrami.

“Sinjalet për këtë qeveri s’janë të mira, keni thënë se familjarët janë për dasma, e tash e keni kthyer dasmat po i mbani në qeveri”, tha Bajrami.

Nagavci në emër të Ministrisë së Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit nënshkroi Protokollin e Bashkëpunimit me Kampusin Evropian të Universitetit të Jorkut në Selanik-Kolegjin CITY për ofrimin e 60 bursave për studentë nga Kosova.

Në komunikatë thuhet se përmes këtyre bursave, studentët nga Kosova do të mund të studiojnë në këtë kolegj në Greqi në nivelet bachelor, master dhe MBA. Këto bursa do të fillojnë nga viti akademik 2021/2022 deri në përfundim të programit specifik akademik.

Sipas Protokolit të nënshkruar, 30 bursa do të jepen të plota (100 %) dhe 30 të tjera me tarifë studimi gjysmë të plotë (50%).

Në komunikatë thuhet se bashkëpunimi me Kolegjin CITY ka filluar që nga viti 2009, ndërsa numri i bursave është rritur nga viti në vit.

“City College” deri në 2020 ka përdorë emrin Universitetit të Sheffiled-it dhe nga viti 2020 ka bërë marrëveshje me Univeristetin e York-ut.

Por Univeristeti Sheffield i Britanisë së Madhe sipas Ëebometrics renditet i 72-i në rang botëror, ndërsa Universiteti i Sheffield-it në Greqi i 11 979-i.

Pra City College sipas Ëebometrics është i ranguar në pozitën 11 979-të, derisa Universiteti i Prishtinës është i ranguar në pozitën 3 022-të. Për pak kontekst, City College është për 8 957 pozita më poshtë se Universiteti i Prishtinës.

Universiteti i Prishtinës është 4 herë më i mirë se City College në indikatorin e citimeve, duke zënë vendin 1 586, ndërsa City College është i ranguar i 5 963-ti.

Universiteti i Prishtinës është për 3 086 pozita më lartë në treguesin e ekselencës, i cili i rangon universitetet duke matur numrin e punimeve shkencore në top 10% më të cituarat në 27 disiplina shkencore.

City College nuk figuron në QS University Ranking derisa Universiteti i Prishtinës është në rangun #301-350 që përfshin shumicën e vendeve të Evropës Lindore dhe vendet e Azisë Qendrore.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore