Lajme

Ministri ukrainas kritika për ‘Emily in Paris’: Fyese portretizimi i gruas nga Kievi


Ministri i Kulturës në Ukrainë, Oleksandr Tkachenko, është ankuar në platformën Netflix për portretizimin e një personazhi nga Kievi në serialin “Emily in Paris”.

Shfaqja e Netflix-it flet për një vajzë të re amerikane – të luajtur nga aktorja Lily Collins – e cila udhëton drejt kryeqytetit francez për punë.

Në serinë e fundit, Petra, një ukrainase, vjedh një dyqan gjatë një udhëtimi me personazhin kryesor Emily.

Tkachenko e përshkroi imazhin e Petrës si “fyes”.

Petra, e cila luhet nga aktorja ukrainase, Daria Panchenko, portretizohet gjithashtu si një person pa shije në të veshur dhe ka frikë se mos deportohet.

“Në këtë serial, ne kemi një arketip të një gruaje ukrainase, çka është e papranueshme. Është gjithashtu fyese”, shkroi Tkachenko në platformën Telegram.

Sipas mediave ukrainase, ministri i ka dërguar një letër shërbimit të transmetimit, ku shpreh ankesën për portretizimin e Petra-s.

Një banor ukrainas në Paris u pajtua me kritikat e tij.

“Mënyra sesi e trajtuat imazhin e ukrainasve në sezonin tuaj të dytë, episodi i 4-të është një mashtrim kaq i ulët, skandal absolut dhe një turp”, shkroi Yevheniya Havrylko në një postim në Instagram, i cili ka pasur më shumë se 75 mijë pëlqime.

Të tjerë kanë zgjedhur të mbrojnë shfaqjen, si producentja ukrainase e filmit, Natalka Yakymovych, e cila tha se “Në një seri televizive, personazhet negative mund të jenë çdo gjë përveçse ukrainas?”.

Nuk është hera e parë që seriali kritikohet për portretizimin e kombësive të ndryshme.

Kur u publikua sezoni i parë, ai u kritikua, veçanërisht në Francë, për promovimin e imazheve stereotipike të qytetit dhe banorëve të tij.

Ai i portretizon francezët si njerëz të vrazhdë, që veshin beretë, dhe shpesh tradhtojnë partnerët e tyre.

Në serinë e re të emisionit shfaqet Alfie, një britanik stereotip që e kalon kohën duke pirë nëpër pijetore dhe duke parë futboll.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore