Lajme

Ministri Sveçla në panairin ndërkombëtar të industrisë së armëve – Eurosatory


Ministri i Punëve të Brendshme të Kosovës, Xhelal Sveçla, në Panairin Ndërkombëtar të Mbrojtjes dhe Sigurisë në Paris të Francës

Ministri i Punëve të Brendshme të Republikës së Kosovës, Xhelal Sveçla, po merr pjesë në Panairin Ndërkombëtar të Mbrojtjes dhe Sigurisë që po mbahet në Paris të Francës.

Ai është i shoqëruar edhe nga drejtori i përgjithshëm i Policisë së Kosovës.

“Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, i shoqëruar nga drejtori i përgjithshëm i Policisë së Kosovës, z. Samendin Mehmeti, kanë marr pjesë në inaugurimin e Panairit Ndërkombëtar të Mbrojtjes dhe Sigurisë, i cili po mbahet nga datat 13-17 qershor 2022, në Paris, Francë”,  thuhet në komunikatën për media të Zyrës për Komunikim në Ministrinë e Brendshme.

Hapjen e këtij panairi e ka bërë Presidenti i Francës, Emanuel Makron i cili ka potencuar rëndësinë e investimeve në fushën e industrisë, mbrojtjes dhe sigurisë.

“Në këtë panair ministri Sveçla dhe drejtori i Policisë së Kosovës, Samedin Mehmeti, do të kenë mundësinë të njoftohen me zgjidhjet më të reja dhe të avancuara të teknologjisë në fushën e sigurisë dhe të mbrojtjes, të arriturat e fundit në industrinë e armëve dhe pajisjeve të tjera, si dhe vendosjen e bashkëpunimit me shumë shtete që e kanë të zhvilluar dhe të avancuar këtë industri”, thuhet me tej në komunikatë.

“Kjo vizitë vjen edhe në kuadër të përpjekjeve të ministrit Sveçla për të avancuar me politikat e sigurisë, duke vënë në pah rëndësinë që është e domosdoshme investimi dhe mobilizimi drejt rritjes së sigurisë dhe kapaciteteve mbrojtëse për institucionet e sigurisë, për të siguruar jo vetëm siguri dhe mbrojtje në vendin tonë, por për të siguruar paqe në rajon dhe më gjerë”.

Eurosatory është një panair tregtar ndërkombëtar i industrisë së armëve që mbahet çdo dy vjet në Qendrën e Ekspozitës Paris-Nord Villepinte, Paris, Francë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore