Lajme

Minatorët e Bitcoin ulin prodhimin, ndërsa pasojat nga rënia e çmimeve rriten


Minatorët e Bitcoin po zvogëlojnë prodhimin, pasi rënia e çmimeve të kriptomonedhave dhe rritja e kostove të energjisë shtrydh fitimet dhe godet aksionet e tyre.

Minatorët, të cilët përdorin kompjuterë të fuqishëm për të krijuar njësi të reja Bitcoin, janë detyruar ta ndryshojnë rrugën, pasi çmimet e kriptove në rënie kërcënojnë të minojnë investimet e tyre të mëdha në teknologji.

Shkalla e hash-it të Bitcoin, një masë e sasisë së fuqisë së dedikuar për krijimin e monedhave të reja, ka rënë 4 për qind që nga fillimi i javës. Rënia sugjeron që minatorët digjitalë po dedikojnë më pak burime kompjuterike për të thyer enigma komplekse, për të cilat ata shpërblehen me Bitcoin të sapokrijuar.

Të dhënat e Blockchain.com treguan gjithashtu se vlera totale e të ardhurave të paguara për minatorët ra në nivelin më të ulët në gati një vit.

Aksionet në minatorët e listuar Marathon Digital dhe Hut 8 kanë rënë rreth 40 për qind gjatë muajit të kaluar, ndërsa Argo Blockchain është ulur 35 për qind.

“Aktualisht, nuk është kënaqësi të jesh në biznesin e minierave”, tha Alexander Neumueller, drejtues i projektit të aseteve digjitale në Qendrën e Kembrixhit për Financat Alternative.

Tregu i kriptove është vënë nën tendosje pas muajve të rënies së monedhave të tij më të mëdha, duke zvogëluar vlerën e tregut nga 3.2 trilionë dollarë në nëntor në pak më pak se 1 trilion dollarë.

Bitcoin ka humbur më shumë se 50 për qind të vlerës së tij këtë vit, me humbjet që u përshpejtuan javët e fundit pasi monedha e qëndrueshme Terra u shemb dhe platforma e kreditimit Celsius bllokoi klientët e saj nga tërheqja e fondeve.

Didar Bekbaouov, një minator kazak dhe bashkëthemelues i kompanisë minerare Xive, tha se ai po “përshtatej me çmimet dhe realitetin e ri” dhe kishte fikur operacionet e minierave jofitimprurëse në kohën kur bitcoin ra nën 25 mijë dollarë.

Kompanitë që i janë drejtuar bankave apo tregjeve për kapital në të kaluarën tani po hasen me vështirësi; tregjet e kapitalit kanë rënë dhe oreksi për mbledhje fondesh është dobësuar, ndërkohë që normat e interesit janë rritur.

Kjo mund t’i detyrojë të tjerët të mbyllin operacionet e tyre ose të braktisin planet për të blerë më shumë kompjuterë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore