Lajme

Milovan Drecun: Pas vendimit të Qeverisë së Kosovës për ndalimin e prodhimit të kriptovalutave, serbët po frikësohen


Milovan Drecun ne Parlamentin e Serbise

Kryetari i Komisionit Parlamentar për Kosovën në Kuvendin e Serbisë, Millovan Dreçun, vendimin e fundit të Qeverisë së Kosovës për ndalimin e prodhimit të kripovalutave e ka parë si tentim të qeverisë për të ndërmarr aksione në Veri të vendit, në komunat e banuara me serbë.

“Tani ata kanë ndaluar nxjerrjen e Bitcoin-it, gjë që mund të jetë arsye që njësitë speciale të pushtojnë veriun e Kosovës”, ka thënë ai në një prononcim për Radiotelevizionin e Serbisë.

Drecun, duke folur në emër të qytetarëve serbë të Kosovës, ka thënë se “serbët në Kosovë po kanë frikë nga veprimet e mundshme të njëanshme të Prishtinës me përdorimin e njësive speciale dhe dhunën”.

Deputeti i partisë së Aleksandër Vuçiçit përkundër se ka hedhur spekulime për aksion të mundshëm, i pyetur për konkretizime e ka pranuar se nuk ka të tilla dhe as që ka tregues që tregojnë se po përgatitet një aksion më i madh konkret i njësive speciale.

“Por, në asnjë rast nuk përjashtohet mundësia e përshkallëzimit, sepse janë krijuar parakushtet”.

“E shihni që kanë futur gjendjen e jashtëzakonshme në fushën e energjetikës, se ka kufizime të vazhdueshme për energjinë elektrike. Shqiptarët e mbështesin këtë, sepse Kurti vazhdimisht shkon me historinë se veriu i Kosovës është fajtor për këto mungesa të energjisë dhe Serbia”.

Të martën e 4 janarit, Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, përmes një statusi në Facebook bëri të ditur se “javën e kaluar kam marrë vendimin për Masa të Emergjencës përmes të cilit ndalohet prodhimi i kriptovalutave në të gjithë territorin e Kosovës”.

Artane Rizvanolli, Ministre e Kosoves

“Institucionet e rendit do të ndalojnë prodhimin e aktivitetit në fjalë me mbështetje të të gjitha institucioneve relevante të cilat do të identifikojnë lokacionet e prodhimit të kriptovalutave”, ka shkruar Rizvanolli.

Vendimi erdhi si një nga hapat në kursimin e energjisë elektrike pas krizës energjetike nëpër të cilën po kalon Kosova dhe dihet se prodhimi i monedhave digjitale kërkon jashtëzakonisht shumë energji elektrike.

Ky njoftim i ministres erdhi papritur meqë Kosova pritej që të bëhet me një ligj të ri, i cili do të përcaktonte rregullat e përdorimit të kriptovalutave, apo parave digjitale, brenda territorit të saj.

Projektligji në fjalë, ka kaluar fazën e parë të hartimit, dhe pritej të miratohej para fundit të vitit 2021, por dicka e tillë nuk ndodhi.

Kur ishte diskutuar për ligjin, Komisioni për Ekonomi në Kuvendin e Kosovës ishte angazhuar që brenda të përfshihej edhe çështja e keqpërdorimit të energjisë elektrike për pasurim me kriptovaluta në komunat me shumicë serbe në Veriun e Kosovës, ku qytetarët nuk paguajnë për rrymën që e shfrytëzojnë.

Përveç kategorizimit të kriptovalutave dhe të formave të taksimit, projektligji synon të sigurojë pajtueshmëri të industrisë me ligjet vendëse dhe ato ndërkombëtare.

Çka janë kriptovalutat ?

Kriptovalutat

Kriptovaluta është para digjitale, e decentralizuar, e bazuar në teknologjinë “blockchain”. Ndryshe nga euroja apo dollari amerikan, nuk ekziston një autoritet qendror që menaxhon dhe ruan vlerën e një kriptovalute.

Përderisa kriptovaluta është një lloj i ri dhe interesant i pasurisë, blerja e saj mund të jetë e rrezikshme, pasi duhet kërkon hulumtime të konsiderueshme për ta kuptuar mënyrën se si funksionon secili sistem.

Bitcoin ishte kriptovaluta e parë, e propozuar nga Satoshi Nakamoto, në një dokument të vitit 2008, të titulluar “Bitcoin: Sistem elektronik, pa ndërmjetësues, i parasë së gatshme”.

Përveç Bitcoin ekzistojnë mbi 5 mijë kriptovaluta të ndryshme në qarkullim, sipas uebsajtit për monitorimin e tregut të kriptovalutave, CoinLore.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore