Lajme

Milatoviç në Beograd: S’kemi të njëjtat pikëpamje për Kosovën, por e kuptojmë pozicionin e Serbisë


Jakov Milatoviç

Presidenti i Malit të Zi, Jakov Milatoviç, në një konferencë të përbashkët me homologun e tij serb, Aleksandër Vuçiç, të hënën në Beograd, ka bërë sërish thirrje për qetësimin e situatës në veriun e Kosovës, ndërsa ka shtuar se me presidentin serb nuk ka pikëpamje të njejta sa i përket pavarësisë së Kosovës.

“Shumë e rëndësishme që nga adresat më të mëdha shtetërore të fokusohemi në tema që mund të afrohemi. Ka edhe tema ku nuk kemi të njëjtat pikëpamje, sigurisht që edhe çështja e Kosovës është një nga ato. Mali i Zi e njohu Kosovën në vitin 2008, por ne duhet të jemi të edukuar politikisht për të kuptuar pozicionin e Serbisë”.

“Ajo që është e rëndësishme për mua është që tensionet në veri të Kosovës të vihen nën kontroll dhe të ndodhë deeskalimi. Ne vërtet e mbështesim sinqerisht dialogun ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës. Nuk jam i lumtur për tensionet, megjithatë Vuçiçi ka bërë shumë për deeskalim, por duhen dy veta për tango”, shtoi Milatoviç.

Ishte kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, i cili në një intervistë të tij, shprehu një shqetësim të thellë për rezultatet e zgjedhjeve presidenciale në Mal të Zi, të cilat i fitoi kreu i Lëvizjes “Evropa Tani”, një politikan me orientim liberal, por që mori mbështetje edhe nga partitë pro-serbe dhe pro-ruse.

Megjithatë, në një intervistë për gazetën opozitare serbe “Nova”, presidenti i ri i Malit të Zi, ishte pyetur edhe rreth Kosovës. Pavarësia e Kosovës, pohoi ai, është fakt i padiskutueshëm – kjo është krejt e qartë, kujdesej të sqaronte ai, ndërsa shtonte se Mali i Zi do që Kosova dhe Serbia t’i normalizojnë marrëdhëniet.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore