Lajme

Milatoviç mohon akuzat se fushata e tij është financuar nga “mbreti i kriptovalutave”


Jakov Milatoviç

Presidenti i Malit të Zi, Jakov Milatoviç, ka mohuar akuzat në drejtim të tij se gjatë fushatës presidenciale – ku garonte kundër dhe që arriti ta mposhtë veteranin e politikës malazeze, Milo Gjukanoviç – është financuar në çfarëdo mënyre nga shtetasi korean Do Kwon, i njohur ndryshe si “mbreti i kriptovalutave”.

“Të gjitha të dhënat financiare janë të vërteta dhe të disponueshme për publikun”, tha Milatoviç, transmeton media malazeze “Pobjeda”.

Përveç financimit, ai gjithashtu ka mohuar të ketë ndonjë “lidhje personale apo ndonjë lidhje tjetër me Do Kwon”.

Ndryshe, Do Kwon dyshohet për një mashtrim prej 40 miliardë dollarësh në botën e kriptomonedhave.

Ai i kishte dërguar një letër nga burgu në një sërë adresash të institucioneve malazeze, në fund të fushatës për zgjedhjet parlamentare të 11 qershorit, ku pretendohej lidhja e tij edhe me liderin e partisë së presidentit të Malit të Zi, lëvizjes qytetare “Evropa Tani”, Milojko Spajiç.

Madje kryeministri me mandat teknik në Mal të Zi, Dritan Abazoviç, me të pranuar letrën nga shtetasi korean – të cilën e kishte përcjellë menjëherë në Prokurori – pati thirrur një seancë të jashtëzakonshme të Këshillit për Sigurinë Kombëtare malazeze, me rendin e ditës për përfshirjen e mundshme mes shtetasit të Koresë së Jugut, Do Kwon, i dyshuar për përvetësim në tregtinë e kriptomonedhave, dhe liderit të “Evropa Tani”, Milojko Spajiç.

Abazoviç thërret Këshillin e Sigurisë pas letrës ku pretendohen lidhjet e liderit të “Evropa Tani” me “mbretin e kriptomonedhave”

Lidhur me këto pretendime, udhëheqësit e partisë pro-serbo-ruso, Frontit Demokratik, Milan Knezheviç dhe Nebojsha Medojeviç, dhe lëvizja URA e Abazoviç-it i kishin kërkuar Prokurorisë Speciale të shtetit malazez të hetojë lidhjen e supozuar mes Spajiç-it dhe Do Kwon.

Do Kwon u arrestua në mars të këtij viti në Mal të Zi me një urdhër të Koresë së Jugut me dyshimin se kishte përvetësuar më shumë se 40 miliardë dollarë përmes tregtimit të kriptomonedhave. Së bashku me të ishte arrestuar edhe shtetasi tjetër korean Hon Chand Jun.

Por, i ashtuquajturi “mbreti i kriptovalutave”, Hyeong Do Kwon, dhe partneri i tij biznesor, Hon Chang Joon, të hënën janë dënuar secili nga Gjykata Themelore në Podgoricë, me nga katër muaj burgim, për falsifikim të dokumenteve të udhëtimit.

Të dy fillimisht mohuan se dokumentet ishin të rreme, më pas shpjeguan javën e kaluar se kishin marrë pasaportat false të Kosta Rikës dhe Belgjikës përmes një agjencie në Singapor.

Arrestimi i Do Kwon-it kishte marrë vëmendje botërore, sepse ai është një prej personave më të kërkuar, lidhur me mashtrimet që dyshohen të jenë kryer përmes kriptovalutave.

Katër muaj paraburgim për “mbretin e kriptovalutave”, u kap me pasaportë false në Mal të Zi

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore