Lajme

Abazoviç thërret Këshillin e Sigurisë pas letrës ku pretendohen lidhjet e liderit të “Evropa Tani” me “mbretin e kriptomonedhave”


Dritan Abazovic dhe Milojko Spajiç

Kryeministri me mandat teknik i Malit të Zi, Dritan Abazoviç, ka thirrur një seancë të jashtëzakonshme të Këshillit për Sigurinë Kombëtare malazeze, me rendin e ditës për përfshirjen e mundshme mes shtetasit të Koresë së Jugut, Do Kwon, i dyshuar për përvetësim në tregtinë e kriptomonedhave, dhe liderit të “Evropa Tani”, Milojko Spajiç, raportojnë mediat e Podgoricës.

Seanca e jashtëzakonshme e Këshillit të Sigurisë ishte caktuar që të mbahej në përfundim të fushatës parazgjedhore për zgjedhjet parlamentare në Mal të Zi, të cilat do të mbahen me 11 qershor, mirëpo para kësaj Do Kwon u shkroi autoriteteve më të larta shtetërore malazeze për lidhjet e supozuara me shefin e partisë së presidentit malazez, Jakov Milatoviç.

Lidhur me këto pretendime, udhëheqësit e partisë pro-serbo-ruso, Frontit Demokratik, Milan Knezheviç dhe Nebojsha Medojeviç, dhe lëvizja URA e Abazoviç-it janë duke i kërkuar Prokurorisë së Speciale të shtetit malazez të hetojë lidhjen e supozuar mes Spajiç-it dhe Do Kvon.

Por, këto akuza në drejtim të liderit të “Evropa Tani”, janë mohuar nga kjo parti, duke thënë se është një përpjekje të krijojnë një aferë para zgjedhjeve dhe “shumë subjekte dhe individë e fshehin frikën e tyre nga debakli zgjedhor me gënjeshtra”.

Ndryshe, Do Kwon u arrestua në mars të këtij viti në Mal të Zi me një urdhër të Koresë së Jugut me dyshimin se kishte përvetësuar më shumë se 40 miliardë dollarë përmes tregtimit të kriptomonedhave. Së bashku me të është arrestuar edhe shtetasi tjetër korean Hon Chand Jun.

Ndërsa, momentalisht të dy janë në gjyq para Gjykatës Themelore në Podgoricë për akuzat e posedimit të pasaportave të falsifikuara, për të cilat të dy janë deklaruar të pafajshëm.

Për letrën ku flitet për lidhjet e Spajiç me koreanin, kryeministri malazez Abazoviç ka konfirmuar se e ka pranuar të martën, dhe se të njëjtën e ka përcjellë në Prokurori.

Po ashtu, letra i është drejtuar ministrit të drejtësisë malazeze, Marko Kovaç.

Deri më tani ata që e kanë pranuar këtë letër nuk e kanë bërë publike përmbajtjen, mirëpo media malazeze “Vijesti”, ka publikuar detaje nga letra në të cilën kanë pasur akses.

Sipas tyre, Do Kwon përshkroi në letër se kur dhe si u takuan me Spajiç, duke treguar se ata bënin biznes së bashku në industrinë e kriptove dhe pretendon se u takuan në fund të vitit 2022 në Beograd.

Në letrën, që është shkruar me dorë, koreani u ofron prokurorëve prova për mënyrën se si Spajiç gjoja financoi fushatën presidenciale, ndërsa mendonte se do të ishte kandidat i Lëvizjes Evropa Tani për zgjedhjet presidenciale.

Mirëpo, ai u diskualifikua nga fushata presidenciale për shkak të shtetësisë së tij serbe, duke i hapur rrugë kështu nënkryetarit të Lëvizjes, Jakov Milatoviç, i cili arriti që ta mposhtë në zgjedhje veteranin e politikës malazeze, Milo Gjukanoviç.

Spajiç, aktualisht kandidat i Lëvizjes Evropa Tani për kryeministër i Malit të Zi, duke mohuar çdo lidhej me De Kwon, deklaroi se ai është një “mashtrues që mashtroi miliona njerëz” dhe se ai, së bashku me anëtarët e komunitetit blockchain, e raportuan atë pranë autoriteteve kompetente sapo morën vesh se ishte në Mal të Zi.

Ai pretendon se është informuar për “skenarin” dhe lidhjen mes tij dhe De Kwon “disa javë më parë”. Lëvizja e tij Evropa Tani njoftoi se ishte një përpjekje për të krijuar një aferë “të caktuar në javën e fundit të fushatës zgjedhore”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore