Sport

Milan arrin marrëveshje me Belotti-n


Andrea Belotti- do të veshë fanellën e Milan-it në sezonin e ardhshëm, të paktën kështu raportojnë mediat italiane.

Sipas “Tuttosport”, drejtuesit e klubit të Milan-it kanë arritur marrëveshje me sulmuesin e Torino-s, që ai të transferohet në “San Siro” me parametra zero në sezonin e ardhshëm.

27-vjeçarit i skadon kontrata me Torino-n në fund të sezonit dhe burime të gazetës italiane kanë treguar se ai ka refuzuar ta rinovojë atë, vetëm që t’iu bashkohet klubit që kishte ëndërruar të luajë që nga fëmijëria.

Pra, Belotti do të jetë kuqezi në sezonin e ardhëm, i cili pritet të firmosë një kontratë 5-vjeçare, me një pagë neto prej rreth 4 milionë euro në sezon.

Kujtojmë që Milan-it shfaqi interes të madh për ta marrë sulmuesin italian edhe në vitin 2017, por në atë kohë Torino kërkonte 100 milionë euro për ta lënë të lirë lojtarin, shumë kjo e cila u konsiderua e lartë nga drejtuesit e Milan-it.

Belotti është pjesë e Torino-s që nga vera e vitit 2015, kur u transferua nga skuadra e Palermo-s për shumën e 8.4 milionë eurove.

Gjatë këtyre viteve me skuadrën e Torino-s, ai ka zhvilluar 232 ndeshje në të gjitha garat, prej të cilave ka shënuar 106 gola.

Ndërkohë, ai numëron edhe 39 paraqitje zyrtare me kombëtaren e Italisë, prej të cilave ka kontribuar me 12 gola.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore