Shqipëria

“Mikpritjen e kemi në gjen, ne shqiptarët”


“Mikpritjen e kemi në gjen, ne shqiptarët. Mirëpo, nuk njihemi shumë mes vete”, tregon Dafina Beqiri për Albanian Post (AP).

Ajo ishte vetëm 18 vjeç kur u përfshi në botën profesionale. Si një vajzë e re, mbushur me energji, e pa të domosdoshme të kontribuonte në ndërgjegjësimin për dialog dhe pajtim në Ballkanin Perëndimor.

Sipas raportit të fundit, publikuar nga Instituti i Statistikave, Shqipëria preferohet shumë nga shtetasit e Ballkanit Perëndimor, por jo vetëm.

Punësimi, studimi dhe bashkimi familjar janë arsyet kryesore, të cilat shtyjnë të huajt të zgjedhin Shqipërinë.

Gjatë vitit 2019, numri i të huajve me leje qëndrimi në Shqipëri rezultoi 13 mijë e 507 banorë. Ndërsa numri i aplikimeve për leje qëndrimi ishte 8 mijë e 241 aplikime.

Tashmë prej tre vitesh jetese në Tiranë, Dafina punon si menaxhere programi pranë organizatës rajonale, Fondi i Ballkanit Perëndimor.

“Tirana ofron më shumë treg pune dhe më shumë potencial për ndërtimin e marrëdhënieve rajonale. Kjo sepse ka qenë jashtë konflikteve të ish-Jugosllavisë dhe ofron më shumë frymë bashkëpunimi”, shprehet ajo.

Në vijim, tregon sesi la Prishtinën për të jetuar në Tiranë, ku u ndje e mirëpritur.

“Mikpritjen e kemi në gjen ne shqiptarët, mirëpo mendoj se nuk njihemi shumë mes vete”.

Por edhe në këtë rast medalja ka dy anë. Dhe atë të errëtën.

Ajo rrëfen se çfarë do të donte të përmirësonte në Shqipëri, duke e vënë theksin tek të rinjtë. Sipas saj, vihet re dëshira e tyre për t’u larguar.

“Mungon besimi në shtet, ndërsa qasja diskriminuese ndaj të rinjve bën që ata të braktisin vendin e tyre”.

Megjithatë, sipas Dafinës, zgjidhjen shqiptarët duhet që ta gjejnë te vetja.

“Kemi akoma për të mësuar nga njëri-tjetrin, në ngjashmëri më shumë se sa te gjërat që na diferencojnë”.

Një tjetër profesionist i ri, Denis Grbo, nga Sarajeva e Bosnjës dhe Hercegovinës, rrëfen sesi u gjend në Tiranë. Ai iu bashkua Fondit si koordinator projektesh, në mars të 2019-s.

Gjatë këtyre dy viteve, ai ka zbuluar një ngjashmëri mes Tiranës dhe vendlindjes së tij.

“Ndihem si qytetar i Tiranës dhe më pëlqen të jetoj këtu. Është mjaft e ngjashme me vendlindjen time. Kjo punë më ka ofruar mundësinë të njoh më shumë rajonin e bukur të Ballkanit Perëndimor”, tregon Denisi.

Sipas INSTAT-it, Shqipëria mirëpret jo vetëm shtetas të rajonit, por dhe rezidentë nga Italia, Evropa dhe Turqia.

Vetëm nga Italia, në 2019-n, në Shqipëri kanë banuar plot 2 mijë e 753 shtetas nga Italia, 1 mijë e 730 nga Turqia dhe 8 mijë e 971 banorë nga Evropa.

I riu nga Sarajeva, thotë se edhe kolegët e tij vijnë nga rajoni, si pjesë e organizatës ku punojnë. Kjo e fundit ka punësuar gjithashtu gjashtë persona nga gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor.

“Shumica e kolegëve dhe miqve të mi janë nga Tirana dhe duhet të them, se më ndihmuan shumë të përshtatesha me qytetin”, përmbylli Denisi për Albanian Post.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore