Sport

Migjen Basha pensionohet nga futbolli


Ish-futbollisti i kombëtares së Shqipërisë, Migjen Basha, ka vendosur që të var këpucët në gozhdë, duke u pensionuar nga futbolli i luajtur në moshën 34-vjeçare.

Lajmin për vendimin e papritur e ka bërë të ditur vet Basha, i cili me anë të një videoje të publikuar në rrjetet sociale, ka ndarë me ndjekësit e tij pensionimin nga futbolli.

“Unë arrita të jetoj ëndrrën time të fëmijërisë falë pasionit që më shoqëroi gjatë gjithë këtij udhëtimi, që filloi në Zvicër dhe më çoi në Itali, Greqi, Australi dhe përsëri në atë katrorë”.

“Gjatë rrugës, me shumë dashuri dhe krenari mbrojta edhe ngjyrat e vendit tim. Dua të falënderoj këtu të gjithë ata njerëz që më mirëpritën me krahë hapur dhe më ndihmuan të ndihem rehat”.

“Inkurajimi nga familja ime, miqtë, mbështetësit, shokët e skuadrës, anëtarët e stafit dhe madje edhe kundërshtarët”.

“Faleminderit të gjithëve për atë që më keni dhënë gjatë rrugës. Është koha për t’i dhënë lamtumirën karrierës sime”, thuhet në postimin e Migjen Bashës.

Kujtojmë që Basha fillimisht ishte pjesë e skuadrave zinxhir të Zvicrës. Por në verën e vitit 2012 ai u pajis me pasaportë shqiptare, i cili më pas vendosi të luajë për kombëtaren e Shqipërisë.

Debutimin me fanellën kuqezi, Basha e bëri në mars të vitit 2013 ku Shqipëria mposhti Norvegjinë me rezultat 0:1 në ndeshjen kualifikuese te Kampionatit Evropian.

Ndërsa katër ditë më vonë, ish-mesfushori realizoi golin e parë me Shqipërinë, në miqësoren ndaj Lituanisë.

Gjatë gjithë karrierës së tij, ai e ka përfaqësuar Shqipërinë në 29 ndeshje zyrtare, prej të cilave ka realizuar tre gola.

Kujtojmë që Basha e filloi karrierën te klubi zviceran, Laussane, ndërsa më vonë shumicën e kohës ka luajtur në klube të ndryshme italiane si: Atalanta, Torino, Frosinone, Bari, etj.

Ndërkaq, ai provoi aventurën edhe në futbollin grek te Aris-i i Selanikut, si dhe një vit luajti në futbollin australian te skuadra e Melbourne Victory.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore