Lajme

Microsoft-i po tenton të blejë Discord-in


Kompania teknologjike, Microsoft, është në bisedime për të blerë Discord-in, platformë mesazhesh për lojëtarët, për më shumë se 10 miliardë dollarë.

Agjencia e lajmeve, Reuters, tregon se pandemia ka nxitur kompanitë teknologjike t’i drejtohen platformave të tilla pasi detyrimi i njerëzve për të qëndruar në shtëpi ka bërë që ata të kushtojnë më shumë kohë te videolojërat për argëtim.

Në platformën Discord, përdoruesit koordinojnë aktivitetet e grupeve që kanë lidhje me lojërat, diskutimet dhe festa virtuale.

Dëshira e Microsoft-it për të poseduar platforma masive të medias sociale ka qenë e kahershme. Marrëveshja e saj më e fundit e madhe ka qenë blerja e Linkedin-it me 26.2 miliardë dollarë në vitin 2016.

Kjo pasi në shtator të vitit të kaluar kompania dështoi me ofertën e saj për aplikacionin e videove të shkurtra, TikTok, në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Microsoft-i, si prodhues i Xbox-it, përherë është përpjekur të forcojë ofertat e tij të videolojërave me blerjen e ZeniMax Media vitin e kaluar për 7.5 miliardë dollarë. ZeniMax Media konsiderohet më e rëndësishmja në vend në sektorin e videolojërave.

Mirëpo, për sa i përket blerjes së radhës, Discord-it, asnjë prej kompanive nuk ka pranuar të japë komente.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore