Shqipëria

Meta pret vendimin, Kuvendi voton sot mbi shkarkimin e tij


Të mërkurën e 9 qershorit, Parlamenti i Republikës së Shqipërisë mund të kryejë një nga aktet më të pazakonta në historinë mbi tre dekadëshe të pluralizmit.

Konferenca e Kryetarëve caktoi 9 qershorin si datën e seancës plenare, në të cilën Kuvendi do të votojë raportin e Komisionit të Posaçëm Hetimor për kërkesën e shkarkimit të Presidentit, Ilir Meta, nga detyra.

Presidenti Meta është përballë një situate krejt të pazakontë në historinë parlamentare të vendit tonë. Kështu thotë opinionisti Ben Andoni, për Albanian Post.

Andoni e konsideron si eufemizëm qasjen, sipas tij, shumë të pasjellshme politike nga ana e Presidentit Meta. Kjo, pavarësisht se “në disa kthime dokumentesh nga parlamenti, ai ose më saktë bashkëpunëtorët e tij ligjorë duhet të vlerësohen”.

“E pazakontë, në arsyetimin tim, ka qenë imazhi që i ka dhënë ai tagrit të tij, si gardian i protokollit kushtetues të shtetit, mbushur me folklorizma të panevojshme”, nënvizon ai.

“Nëse do krahasojmë gjuhën e tij të matur të ditës së zgjedhjeve kemi pasur një tejkalim real të kompetencave të tij, në të gjithë procesin me ndërhyrjen direkte dhe indirekte në fushatë, deri me fyerje të panevojshme për palë, ka dëmtuar rëndë një nga parimet themelore të funksionimit të tagrit të tij: paanshmëria dhe përfaqësimi i unitetit të Kombit”, vlerëson Andoni.

Sipas tij, këtu është baza nga ku do kërkohet shkarkimi i Presidentit që duhet pastaj të marrë formën finale me vendimin e Gjykatës Kushtetuese.

“Nëse Komisioni që hetoi ka provuar dhe argumenton si duhet”, shton ai, sikur janë “thirrjet për dhunë dhe për kryengritje kur i është drejtuar popullit që të marrë sfurqet, ato e provojnë për mendim tim qartë konsumimin e veprës penale”.

Andoni deklaron se në të gjithë këtë rebus do kërkohet të futet dhe SPAK-u, pasi në raport mëtohet se provohet konsumimi i veprës penale, për thirrje për dhunë dhe për kryengritje.

Por, a do të shkohet deri në arrestimin e Metës?

Opinionisti Andoni mendon se javët e ardhshme do jenë sfiduese, por edhe të mbushura me lajme, ku lajmet për Metën patjetër do zënë pjesën qendrore.

“Kuptohet luani, që këtej e tutje, do jetë në kafaz sepse po i tregohet fundi i karrierës politike, pasi sido që të arsyetojë Gjykata Kushtetuese, ai ka prishur një marrëdhënie politike normale me mazhorancën dhe ka dëmtuar paturpësisht kauzën e opozitës me daljet e tij të pamatura”.

Një nga zërat më kritikë dhe nga radhët e reja të politikbërjes, deputeti Halit Valteri, për Albanian Post deklaron se kjo përballje tashmë ka marrë formën e saj.

Kjo, pasi sipas tij në datën 9 qershor, parlamenti për herë të parë në historinë e shtetit shqiptar, do shkarkojë një president i cili nuk njeh insitucionet e vendit të tij.

“Ilir Meta është personi që Shqipëria i ka dhënë gjithçka dhe po ashtu do i marrë mbrapsht gjithçka”, thekson ai.

Deputeti Valteri më tutje vlerëson se pasi Kuvendi i Shqipërisë ta kryejë punën e tij, është në dorën e Gjykatës Kushtetuese që ta ndërrojë faqen e historisë.

“Reforma në drejtësi mendoj se do i japë frytet e para duke marrë një vendim historik për vendin tonë”, shton ai.

Sipas Valterit, shqiptarët presin dhe kanë besim se pas 30 viteve miti i politikanëve të pandëshkueshëm do të bjerë dhe të gjithë të jenë të barabartë para ligjit pavarësisht ‘kolltukut’ ku janë ulur.

Presidenti kundër Mazhorancës

“Mori Edi Rama 71 mandate? Unë më 26 prill do të jap dorëheqjen, kaq do ta bëj, siç bëri Ramiz Alia. Nëse ai merr 71 mandate, pa prekur votën e popullit, unë do të jap dorëheqjen dhe unë do të kaloj në opozitë, sepse unë respektoj demokracinë”.

Kjo deklaratë e Presidentit të Republikës së Shqipërisë, Ilir Meta më 1 mars, është fillimi i një sage, por jo motivi i vërtetë pas kërkesës së shumicës parlamentare për shkarkimin e tij. Kjo betejë në distancë zgjat prej tre muajsh tanimë.

Korrespondenca është zhvilluar mes adresarit të Presidencës, më saktësisht kundrejt figurës së Presidentit Meta dhe Partisë Socialiste, që gëzon shumicën në parlamentin ekzistues dhe atë të dalë nga zgjedhjet e 25 prillit.

Situata e krijuar nxiti reagimin e kryeministrit Edi Rama, që çështjen e presidentit e shtroi në dy rrafshe përnjëherësh.

“Në njëfarë mënyre, Ilir Meta duhet falënderuar. Ka sqaruar plotësisht ekuacionin e referendumit, i cili ishte një ekuacion i paplotë, me vetëm një anë, ku më 25 prill referendumi popullor do të shpërbëjë reformën në drejtësi”.

Kjo deklaratë që erdhi 24 orë më pas, kulmoi me zgjedhjen mes Presidentit dhe reformës në drejtësi, sipas kryeministrit të Shqipërisë.

“Me reformën në drejtësi deri në fund, apo me Ilir Metën?”, u shpreh Rama më 2 mars të 2021.

Me shpalljen e rezultatit zyrtar më 25 prill, Partia Socialiste e Shqipërisë konfirmoi rezultatin e vitit 2017 duke siguruar 74 mandate.

Socialistët do ta drejtojnë qeverinë të vetëm, pa koalicion edhe për katër vitet e ardhshme. Kjo, në fakt, ishte një kërkesë e kahershme e kryeministrit Edi Rama. Nëse nuk do të fitonte i vetëm zgjedhjet, ai deklaroi se do të dilte nga skena politike shqiptare.

I pari që kërkoi “mbajtjen e fjalës” nga Presidenti Meta ishte drejtuesi politik i PS-së në Vlorë, Damian Gjiknuri.

Meta të mbajë fjalën dhe të japë dorëheqjen”, deklaronte Gjiknuri nga Vlora.

Nga ‘portat presidenciale’ të medias sociale, Tedi Blushi, zëdhënësi i Presidentit të Republikës së Shqipërisë, deklaroi se Presidenti Meta nuk do të japë dorëheqjen nga detyra.

Presidenti Meta e ka bërë të qartë se, nëse Edi Rama fiton 71 mandate në mënyrë demokratike, do të japë dorëheqje. E gjithë Shqipëria e di si i ka fituar Babloku këto zgjedhje, ndaj qetësohuni: NUK KA DORËHEQJE!”, shkruante Blushi.

Por, kjo situatë dhe i gjithë fundi i muajit prill ishin vetëm paralajmërim për zhvillimet që do ta pasonin betejën ligjore, politike, institucionale midis Presidentit dhe Parlamentit.

“Ne duam të kemi një President që punon dhe mbron interesat e popullit shqiptar”, deklaronte kryetari i grupit parlamentar të Partisë Socialiste (PS) në Kuvendin e Shqipërisë, Taulant Balla. 

Më 5 maj, Partia Socialiste mblodhi zyrtarisht votat për të nisur procedurat për shkarkimin e Presidentit të Republikës, Ilir Meta.

Kjo ishte hera e dytë që një nismë e tillë shkonte në Parlament, brenda dy vjetëve.

Të parën, mazhoranca e ngriti pas dekretit të Presidentit mbi anulimin e zgjedhjeve të 30 qershorit.

Ajo u kthye në një rezolutë të votuar me 100 vota pro në seancën e 13 qershorit të vitit 2019.

Kuvendi i Shqipërisë votoi më 9 maj për ngritjen e Komisionit Hetimor për hetimin e Presidentit të Republikës, Ilir Meta.

Ky komision do të përbëhej nga nëntë anëtarë. Kryetar u caktuar deputeti socialist, Alket Hyseni. Zëvendëskryetar, ishte përfaqësuesi i opozitës parlamentare, Myslym Murrizi. Sekretare e komisionit ndërkaq, ishte socialistja Klotilda Bushka.

Anëtarët e tjerë të komisionit, do të ishin: Vasilika Hysi, Elena Xhina, Spartak Braho, Halil Jakimi, Nikolin Staka dhe Arlind Çarçani.

Ky komision i posaçëm, do t’i paraqiste Kuvendit një raport përfundimtar, sipas të cilit nëse votohet shkarkimi i presidentit, lënda shkon në Gjykatën Kushtetuese.

Presidenti i Republikës nuk mund të diskutojë, por dhe as të dëgjohet nga një strukturë e ngritur në Kuvend, që nuk ka legjitimitet dhe nuk duhet të ekzistojë sipas Kushtetutës dhe ligjit”, deklaronte Presidenti Meta, duke iu përgjigjur kërkesës së Komisionit Hetimor.

Meta e konsideroi të gjithë periudhën përgjatë së cilës komisioni zhvilloi hetimet dhe vet procesin në kundërshtim të plotë me Kushtetutën, Rregulloren e Kuvendit dhe ligjin. Ai nuk u paraqit në asnjë prej seancave të Komisionit Hetimor.

Konferenca e Kryetarëve caktoi 9 qershorin si datën e seancës plenare, në të cilën Kuvendi do të votojë raportin e Komisionit të Posaçëm Hetimor për kërkesën e shkarkimit të Presidentit Ilir Meta nga detyra.

49 deputetë nga Partia Socialiste kanë kërkuar shkarkimin e Presidentit, pasi i kanë cilësuar thirrjet e tij gjatë fushatës elektorale të zgjedhjeve të 25 prillit si antikushtetuese.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore