Shqipëria

Rama: Shqiptarët të zgjedhin Metën apo drejtësinë?


Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, në një konferencë për shtyp gjatë ditës së martë, më 2 mars, nuk la pas dhe ironizimet ndaj presidentit Ilir Meta.

Ditën e djeshme ky i fundit deklaroi se do të japë dorëheqjen nëse Edi Rama do të fitojë zgjedhjet e 25 prillit.

“Në njëfarë mënyre, Ilir Meta duhet falënderuar. Ka sqaruar plotësisht ekuacionin e referendumit, i cili ishte një ekuacion i paplotë, me vetëm një anë, ku më 25 prill referendumi popullor do të shpërbëjë reformën në drejtësi”.

Rama tha se Ilir Meta po fton shqiptarët në një referendum, ku duhet të zgjedhin drejtësinë apo Ilir Metën.

“Me reformën në drejtësi deri në fund, apo me Ilir Metën?”.

I pyetur për këtë çështje Rama tha se “zgjedhje më të qartë dhe më të drejtë, shqiptarët nuk do të kenë më 25 prill”.

“Marrëveshja e opozitës është shumë e qartë për ata që shikojnë përtej asaj që duket. Mjafton të shikojmë firmosjen e marrëveshjes së djeshme për të kuptuar planin. Plani është shumë i qartë. Si firmoset një marrëveshje para-elektorale nga dy parti që garojnë veç e veç?”.

“Marrëveshje noteriale, pse, për çfarë?! Shumë e thjeshtë, pjesë e planit për të lidhur Lulzim Bashën me zinxhirin e Monika Kryemadhit për llogari të Sali Berishës dhe Ilir Metës. Pastaj sigurisht, ose për të marrë pushtetin dhe për të shpërbërë reformën në drejtësi ose për të marrë kokën e Lulzimit”.

Rama deklaroi se, me anë të kësaj marrëveshjeje, problemi është kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha.

“Problemi nuk është Ilir Meta, problemi është Lulzim Basha, që nuk ka këllqe. S’ka karakterin e një lideri që të mos fshihet as kur i tregojnë se çfarë do t’i bëjnë të nesërmen”.

“As kur aleati i tij i madh thotë ‘unë amerikanët i kapi për veshësh’. Nuk është lideri, është thjesht menaxheri i një shoqërie aksionere me dy ortakë: Ilir Metën dhe Sali Berishën. Me një notere dhe përmbaruese Monikën. Besoj jam i qartë”, e përmbylli kryeministri.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore