Shqipëria

Meta: Përballja me policinë, tentativë për grusht shteti


Presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta, pas përplasjes në zyrat e Frymës së Re Demokratike (FRD), doli në një konferencë për shtyp, ku u shpreh se ai ndodhej rastësisht aty.

Fillimisht, Meta e cilësoi si tentativë për grusht shteti.

“Jam këtu pas bisedës telefonike të kryetarit të FRD-së, Sali Shehu, për këtë situatë. Unë po kaloja rastësisht këtu dhe ju e patë se si dhunohet nga njerëz pa asnjë lloj autorizimi”.

Në vijim, ai tha se vendimin e Bashkisë së Tiranës e konsideronte si të pavlerë, duke qenë se shkresa nuk kishte vulë, firmë titullari dhe numër protokolli.

“T’i sjellësh një partie zyrtare, opozitare, këtë vendim, menjëherë pasi nënshkruan një marrëveshje me Partinë Demokratike dhe opozitën tjetër, e konsideroj të paprecedentë. Vendim i bërë me vrap dhe me nxitim vetëm për të dhunuar fizikisht dhe psikologjikisht çdo forcë, e cila synon të konkurrojë në kushte të barabarta në zgjedhje”.

Në këtë mënyrë, presidenti i Shqipërisë tha se po keqpërdoret funksioni i bashkisë.

“Paralajmërim për të gjithë qytetarët shqiptarë, përpjekje mafioze për të vënë dorë mbi votën e barabartë mbi procesin zgjedhor me garanci dhe integritet”.

Ai i bëri thirrje dhe opozitës për të reaguar sa më parë.

“I bëj thirrje opozitës që të zgjohet dhe të mos lejojë më asnjë prekje të rregullave të garës, pasi do të jetë vonë për të, jo për popullin”.

Gjithashtu, Meta paralajmëroi policinë bashkiake dhe atë të shtetit të zbatojnë ligjet.

“Mos përfundoni si policët e Mubarakut, nën këpucët e popullit shqiptar”.

Në fund, ai i dha një mesazh kryetarit të bashkisë, Erjon Veliaj.

“Ti e di shumë mirë se ça ke bërë me firma dhe pa firma. Prandaj, mos iu bind më urdhrave të të ‘çmendurit’”, përmbylli Meta.

 

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore