Aplikacione

Meta ndalon firmat e mbikëqyrjes që kanë shënjestruar përdoruesit


Meta, kompania që ka në pronësi platformën Facebook, ka ndaluar shtatë kompani mbikëqyrjeje që kanë shënjestruar përdoruesit e aplikacioneve të saj.

Referuar një raporti të fundit nga kompania teknologjike, afro 50 mijë përdorues do të marrin paralajmërime mbi “veprimtaritë keqdashëse”, tregon agjencia e lajmeve “BBC”.

Ndërkaq, Meta ka akuzuar firmat e mbikëqyrjes për veprime të tilla si krijimi i llogarive të rreme dhe përdorimi i metodave të hacker-imit për të mbledhur informacion.

Kjo pasi, sipas kompanisë, ata kanë synuar individë duke përfshirë gazetarë dhe aktivistë të të drejtave të njeriut. Këtë, në më shumë se 100 vende.

Në raport, Meta ka nxjerrë se pas një hetimi disa mujor, afro 1 mijë e 500 faqe ishin pezulluar në Facebook, Instagram dhe WhatsApp.

Lëvizja e kompanisë shton një shqyrtim të mëtejshëm në industrinë e mbikëqyrjes, pas akuzave në fillim të këtij viti në lidhje me spyware-in Pegasus që synonte mijëra njerëz.

Tanimë, Facebook-u është duke ndërmarrë veprime ligjore kundër pronarëve të Pegasus-it, NSO Group, mbi përhapjen e supozuar të software-it përmes WhatsApp-it.

Në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, qeveria e futi në listën e zezë firmën dhe të tjerët muajin e kaluar, duke i akuzuar për ofrimin e spyware-it për qeveritë e huaja për të “shënjestruar me qëllim të keq” individë.

“Industria e mbikëqyrjes është shumë më e madhe se vetëm një kompani dhe është shumë më e madhe se thjesht malware për punësim”, ka thënë Nathaniel Gleicher, kreu i politikës së sigurisë së Meta-s.

Ndër firmat e përmendura nga Meta ishte edhe ajo izraelite, Black Cube, e cila u bë e njohur pasi u zbulua se Harvey Weinstein i kishte punësuar për të spiunuar gratë që e akuzonin për ngacmime seksuale.

Megjithatë, Black Cube e ka mohuar pjesëmarrjen në hacker-im dhe ka deklaruar se të gjitha aktivitetet e agjentëve të vet ishin “plotësisht në përputhje me ligjet vendase”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore