Shqipëria

Meta kujton 554-vjetorin e vdekjes së Heroit Kombëtar, Gjergj Kastriot Skënderbeu


“Kryeheroi ynë Kombëtar, Gjergj Kastrioti Skënderbeu, krenaria dhe fuqia, trimëria dhe guximi, frymëzimi dhe lavdia jonë e çdo epoke, do të mbetet përjetë shqiptari më i gjallë ndër nesh”.

Kështu e ka nisur ditën presidenti i Republikës së Shqipërisë, Ilir Meta, nëpërmjet një postimi në median sociale Facebook, duke kujtuar 554-vjetorin e vdekjes të Heroit Kombëtar, Gjergj Kastriot Skënderbeu.

Meta ka bashkangjitur edhe një video të një pjese nga filmi ku tregon bëmat dhe histroinë e Skënderbeut.

“Vepra e pavdekshme e simbolit më përbashkues, që përcaktoi përgjithmonë përkatësinë tonë evropiane do të na udhëheqë gjithmonë në çdo përpjekje për liri, sovranitet dhe dinjitet kombëtar”, e mbyll Presidenti postimin e tij.

Kush ishte Gjergj Kastriot Skënderbeu?

Gjergj Kastrioti Skënderbeu personifikon një epokë të tërë të historisë kombëtare të shqiptarëve, që mori emrin e tij – luftën më se njëshekullore të tyre kundër vërshimit osman (fundi i shek. XIV – fillimi i shek. XVI) për mbrojtjen e tokës, të pasurisë e të lirisë.

Ai ishte djali më i vogël i Gjon Kastriotit dhe i princeshës Vojsava – fëmija i fundit midis katër djemve dhe pesë vajzave. Më pas u mor peng si nizamë në moshë 9-vjeçare pas thyerjes së të atit nga Sulltan Murati më 1421-in dhe u dërgua në kryeqytetin e Perandorisë Osmane, në Edrene.

Heroi shqiptar u edukua këtu gjatë një periudhe dhjetëvjeçare në shkollën e iç-ogllanëve, ku u dallua mbi të tjerët. Në këtë shkollë futeshin zakonisht djemtë e zotërve të nënshtruar për t’u përgatitur e edukuar në frymën osmane si komandantë të zotë e feudalë të bindur. Këta zakonisht shërbenin si spahinj në vendet ku pushtimi osman ndeshte në qëndresën e popullsisë, si dhe në vendet nga ata kishin ardhur.

Gjergj Kastrioti nga natyra ishte i pajisur me dhunti të veçanta, shumë të çmuara. Sipas dokumenteve të kohës dhe njoftimeve të Marin Barlecit, Gjergj Kastrioti kishte mendjemprehtësi të veçantë dhe arriti të zotëronte disa gjuhë të huaja. Ai ishte shtatlartë, shpatullgjerë e shumë i fuqishëm. Luftonte mbi kalë e në këmbë dhe ishte mjeshtër i pashoq në përdorimin e shpatës e të armëve të tjera.

Pasi mbaroi shkollën e iç-ogllanëve, Skënderbeu hyri në kuadrot ushtarake të sistemit feudal osman dhe përparoi shpejt në karrierën shtetërore, nga pozita e spahiut deri në postin e lartë të sanxhakbeut.

Në vitin 1443 ai u kthye në Shqipëri, konkretisht në Krujë për të çliruar atdheun e pushtuar. Ai për herë të parë në historinë e principatave, e princërve shqiptarë ai arriti të bashkojë shqiptarët për të luftuar kundër Turqisë.

Nën udhëheqjen e tij lufta e shqiptarëve u ngrit në një shkallë të lartë e të organizuar, e cila shënoi një kthesë vendimtare në zhvillimin politik të vendit dhe në forcimin e vetëdijes kombëtare të tyre.

Skënderbeu vdiq më 17 janar të vitit 1468 dhe u varros në qytetin e Lezhës – aty ku ai kishte themeluar “Besëlidhjen e Lezhës” në mars të 1444-ës.

Figura e Skënderbeut ka tërhequr vazhdimisht vëmendjen e ushtarakëve, të burrave të shtetit e në përgjithësi të opinionit publik evropian, të cilët kanë kërkuar të nxirrnin mësime nga përvoja luftarake e shqiptarëve, sidomos kur vendet e tyre luftonin kundër pushtuesve të huaj.

Kur vërshimi osman qëndronte si një shpatë mbi Evropën Qendrore, kur në Gadishullin e Ballkanit shpërthyen lëvizjet për çlirimin kombëtar etj., historianët, shkrimtarët e poetët e përdornin figurën e Heroit shqiptar si flamur frymëzues për mobilizimin e popujve të tyre në luftë për liri.

Dëshmi e përhershme e vlerësimit dhe e respektit të thellë që kanë popujt e tjerë për Skënderbeun, krahas botimeve të shumta për të, janë sheshet dhe rrugët e Romës, të Parisit, të Brukselit, të Gjenevës dhe të qyteteve të tjera të vendeve të ndryshme, ku janë vendosur monumente e buste të tij ose që mbajnë emrin “Gjergj Kastrioti Skënderbeu”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore