Lajme

Mesiç do të publikojë dokumentin e marrëveshjes Millosheviç-Tuxhman për ndarjen e Bosnjës


ish-Presidenti i Serbisë, Sllobodan Millosheviç, dhe ai Kroacisë, Franko Tuxhman

Stjepan Mesiç, ish-Presidenti i Kroacisë dhe i Kuvendit të fundit të Federatës së ish-Jugosllavisë, ka deklaruar se do të publikohet dokumenti që tregon se ish-Presidenti i Serbisë, Sllobodan Millosheviç, dhe ai Kroacisë, Franko Tuxhman, ishin pajtuar për të ndarë Bosnjën dhe Hercegovinën.

Mesiç thotë se Kroacia, sipas asaj marrëveshje, do të merrte kufijtë sipas atyre të 1939-tës, përfshirë Cazinën, Klladushën, Bihacin.

“Tani e kuptoni se pse Krajina u deklarua rajon autonom, e tëra ishte vetëm lojë”, shtoi ish-presidenti kroat, transmeton e përditshmja serbe “Danas“.

Sipas tij, ky dokument që do të publikojë së bashku  Bogiç Bogiçeviç dhe Vasil Tupurkovski, do të hedh dritë shumë mbi problemet aktuale në të cilat gjendet Bosnja dhe Hercegovina.

Bogiç Bogiçeviç dhe Vasil Tupukovski, ndër të tjera, ishin anëtarë të Kryesisë së fundit të RSFJ-së, të kryesuar nga Mesiç që nga qershori i vitit 1991, e cila praktikisht pushoi së ekzistuari në të njëjtin vit pas shkëputjes së Sllovenisë dhe Kroacisë.

“Unë e kam përfunduar detyrën, Jugosllavia nuk është më,” kishte thënë Mesiç pas kthimit të tij në Kroaci në dhjetor 1991.

Në mars të atij viti, presidentët e atëhershëm të Kroacisë dhe Serbisë, Franjo Tuxhman dhe Slobodan Millosheviç, u takuan në Karagjorgjevë dhe dyshohet se ranë dakord për ndarjen e Bosnjë-Hercegovinës.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore