Lajme

Merkel-BE, rritet presioni i shpërndarjes së vaksinave


Kancelarja e Gjermanisë, Angela Merkel, ka mbështetur vendimin e Bashkimit Evropian (BE) për t’i blerë vaksinat e coronavirus-it së bashku. Ndërkohë, vendet e Bllokut janë duke u përballur me vonesa në shpërndarjen e produkteve.

Së shpejti, udhëheqësit e BE-së do të zhvillojnë bisedime virtuale. Ata do të diskutojnë mënyrat e rritjes së furnizimeve të vaksinave dhe përmirësimin e shpërndarjes në 27 vendet anëtare.

Presioni është në rritje, pasi Britania e Madhe e ka nisur fushatën e vaksinimin me ritme të shpejta.

Komisioni Evropian (KE) po kërkon kontroll të shtuar në eksportet e vaksinave.

Kjo e fundit mund të ndikojë në furnizimin me Mbretërinë e Bashkuar, ku kryeministri Boris Johnson ka paralajmëruar kundër vendosjes së “bllokimit”.

Takimi virtual i 25 marsit vjen, ndërsa një valë e tretë e infeksioneve të coronavirus-it po përfshin pjesën më të madhe të Evropës kontinentale.

Shtetet e BE-së kanë parë disa nga shpërthimet më vdekjeprurëse të pandemisë, me Italinë, që regjistron më shumë se 106 mijë vdekje, Franca 93 mijë, Gjermania 75 mijë dhe Spanja 73 mijë.

Sipas shifrave të fundit, vetëm 12.9 doza vaksine janë administruar për 100 persona në BE, krahasuar me 44.7 në Mbretërinë e Bashkuar dhe 37.2 në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

KE-ja ka fajësuar kompanitë farmaceutike. Kryesisht AstraZeneca-n, për mosdhënien e dozave të premtuara BE-së.

Belgjika prodhon vaksinën Oxford-AstraZeneca dhe një tjetër në Holandë pritet të rrisë furnizimet me doza vaksine në BE.

Brukseli ka thënë se, nga më shumë se 40 milionë doza të eksportuara nga BE-ja gjatë dy muajve të fundit, një e katërta u dërguan në Mbretërinë e Bashkuar.

Kjo e fundit dhe BE-ja thanë të mërkurën se donin të “krijonin një situatë të favorshme dhe të zgjeronin furnizimin e vaksinave për të gjithë”.

Çfarë ka thënë Merkel?

Duke folur me deputetët gjermanë, kancelarja tha se, nëse disa anëtarë do të kishin pasur furnizime me vaksina dhe të tjerët jo, do të kishte tronditur tregun e brendshëm të BE-së.

Disa shtete të BE-së, të drejtuara nga Austria, po bëjnë thirrje për një rishikim në metodën e shpërndarjes, pasi nuk arritën të marrin doza të mjaftueshme në fillim të këtij viti.

Merkel paralajmëroi se ndikimi i pandemisë mund të shkojë përtej vitit aktual.

BE-ja, tha ajo, mbështetej te vaksinat që mund të prodhonte në vend. Sipas Merkelit, “vendet që prodhojnë në Britani, po i shpërndajnë dozat për Mbretërinë e Bashkuar, ndërsa SHBA-ja nuk po eksporton”.

Udhëheqësit e BE-së kishin planifikuar të takoheshin ballë për ballë në Bruksel, por një valë e tretë e pandemisë po përshkon pjesën më të madhe të Evropës kontinentale.

Pra, një samit me video-konferencë u konsiderua më i sigurt.

Shumë votues fajësojnë qeveritë e tyre dhe Brukselin për një shpërndarje të vaksinave që mbetet shumë prapa Mbretërisë së Bashkuar.

Udhëheqësit janë të ndarë në lidhje me propozimet për kufizime të reja në eksportet e vaksinave jashtë bllokut për të rritur furnizimin e brendshëm.

Ndërsa ka pasur sugjerime se propozimet për udhëheqësit e BE-së, ditën e enjte, do të përqendrohen te Britania e Madhe dhe SHBA-ja.

Komisionerja e Shëndetësisë së BE-së, Stella Kyriakides, tha se nuk ishte kështu.

“Ne kemi të bëjmë me një pandemi dhe kjo nuk po kërkon të ndëshkojë asnjë vend”.

Çfarë ka planifikuar BE-ja?

Kontrollet e ashpra në dogana mund të prekin vendet eksportuese të vaksinave, që kanë norma më të larta vaksinimi sesa BE-ja. Vende të tilla, si Mbretëria e Bashkuar dhe SHBA-ja.

Kriteret kryesore për rregulloret e propozuara janë “reciprociteti” dhe “proporcionaliteti”.

BE-ja thotë se nuk ka reciprocitet nëse një vend që importon vaksina vetëkufizon eksportet.

Shtetet anëtare dhe Komisioni gjithashtu do të marrin në konsideratë gjendjen e pandemisë në atë vend, shkallën e vaksinimit dhe furnizimet me vaksina.

Nuk do të ketë ndalime të drejta të eksportit, të cilat kundërshtohen nga vende të tilla si Holanda dhe Belgjika.

Prodhuesit e vaksinave do të vlerësohen për të parë nëse po përmbushin kontratën e tyre me BE-në, megjithëse nuk është planifikuar ndonjë algoritëm specifik.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore