Shqipëria

MEPJ-ja thotë se nuk ka cenim territori nga Greqia në Detin Jon


xhacka ap

Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme në Shqipëri hodhi poshtë raportimet se anijet e kontraktuara nga qeveria greke kanë hyrë në territorin shqiptar.

“Lidhur me informacionin e qarkulluar nga individë përmes rrjeteve sociale ku pretendojnë për cenimin e interesave të shtetit shqiptar nga aktivitete eksploruese apo shfrytëzuese të kryera nga Greqia në Detin Jon, MEPJ bazuar në informacionet e institucioneve përkatëse deklaron se nuk është kryer asnjë aktivitet i tillë që ka shkelur sovranitetin apo të drejtat sovrane të Shqipërisë në hapësirat detare”, thekson fillimisht njoftimi zyrtar.

Sipas diplomacisë shqiptare, autoritetet janë në monitorim të panderprerë dhe me përgjegjshmëri të plotë të çdo lloj aktiviteti me karakter eksplorues apo të ndonjë natyre tjetër që është duke u kryer në hapësirën detare mes Shqipërisë dhe Greqisë.

Kjo, për të parandaluar çdo ndikim negativ që mund të sjellë për interesat e vendit.

“Informojmë qytetarët shqiptarë se MEPJ-ja është në komunikim të vazhdueshëm me autoritetet respektive greke për të siguruar dhe shkëmbyer të gjithë informacionin e nevojshëm që siguron transparencën e plotë për cdo lloj aktiviteti eksplorues apo shfrytëzues që kryhet në hapësirat detare mes dy vendeve, bazuar dhe instrumentet ndërkombëtare ku të dy shtetet janë palë”, shton reagimi i ministrisë.

Më herët, ish zëvendës komandanti i Forcave Detare, Artur Meçollari, deklaroi se një nga anijet greke është futur me 0.5 milje në zonën shqiptare.

Bëhej fjalë për anije kërkimore të kontraktuara nga Qeveria greke, të cilat sipas ish-ushtarakut kanë rreth 10 ditë që kanë kaluar kufirin.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore